Prej dy javësh kanë shkëmbyer akuza të ndërsjellta në distancë, por në mbledhjen e qeverisë drejtuesit e dy grupimeve të Partisë Demokrsitiane janë gjetur përballë njëri-tjetrit. Dy kryetarët, Ndoka i shkarkuar nga kongresi i jashtëzakonshëm i mbledhur nga kundërshtarët e tij në parti dhe Gurakuqi emëruar si kryetar, po nga ky kongres kanë ironizuar dhe sfiduar pozicionet e njëri tjetrit duke ftuar secili kamerat që t’i fokusojë për herë të fundit në postet qe mbajnë në qeveri.
Nard Ndoka: “Ta ketë si kujtim.”
Kjo situatë ku si rrallë ndonjëherë ministri Ndoka dhe dy zëvendësministrat Bushati e Gurakuqi ishin të pranishëm në mbledhjen e qeverisë. Nuk ka mbetur jashtë komenteve të kryeministrit i cili i ka përcjellë po me batuta dhe humor përballjen e demokristianëve.
Sali Berisha: “Zgjidheni dhe do të shtojmë nga një karrige këtu tek unë. Nuk ka pasur ndonjëherë prezencë më të gjerë demokristiane se sot qeveria. Ne kemi jo vetëm lajme, por edhe skupe.”
Më pas mbledhja e kabinetit qeveritar ka vijuar normalisht me marrjen e disa vendimeve ku ndër më të rëndësishmit ishte ai i dërgimit të trupave paqeruajtës shqiptar edhe në Afrikë në kuadër të marrëveshjes me Brukselin për misionin BE për Çadin./tvklan.al