Kryeministri Sali Berisha kërkoi angazhim maksimal në njohjen e ekspertëve evropianë me përmbushjen e detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Në këtë pikë progresi është i madh, duke shënuar sikundër tha kryetari i qeverisë, përmbushjen në tërësi të angazhimeve që garantojnë lëvizjen pa viza brenda 6 muajve të parë të këtij viti.

Sali Berisha: “Është bërë një punë e përditshme. Ka bërë të mundur të plotësohen në tërësi kërkesa e udhërrëfyesit. Ne presim një grup të ri ekspertësh që vijnë për të inspektuar progresin e bërë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që agjencitë që do vizitohen të jenë të përgatitura për përgjigjet më të sakta, demonstrimin më të qartë. Është shumë e rëndësishme të paraqitet mbi bazën e të dhënave të sakta rezultati i veprimtarisë së koordinuar në luftën kundër krimit të organizuar. Ka një bashkërendim të përpjekjeve midis Shërbimit Informativ Kombëtar, Policisë së Shtetit, Agjencisë së luftës kundër larjes së parave, Prokurorisë, për përpjekje të tjera madhore. Një rëndësi ka ekspozimi i punës së Gjykatë së Krimeve të Rënda.”

Krahas arritjeve të punës ndaj krimit, progresi është i madh edhe në sigurinë e dokumenteve.

Sali Berisha: “Ka një progres shumë të madh dhe janë zgjidhur problemi i kontrollit i bazës së të dhënave  kriminale për aplikuesit për pasaporta biometrike, ndërsa për afatin e validimit fizik të pasaportave të vjetra është përcaktuar viti 2011, si viti i fundit i përdorimit të këtyre pasaportave. Ndërkohë për të gjithë ata që aplikojnë, krahas pajisjes më pasaportën e re biometrike , iu zhvlerësohet pasaporta ekzistuese.”

Në mbledhjen e komitetit ndërministror për vizat, kryeministri ritheksoi se brenda muajit shkurt do të miratohet moratorium për skafet, si një angazhim i qeverisë për të bllokuar industrinë kryesore të trafiqeve të paligjshme./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi