Me kryefjalë luftën ndaj varfërisë, kryeministri Sali Berisha paralajmëroi miratimin e një pakete masash që ndihmojnë në këtë drejtim zonat periferike të vendit.
Paketa parashikon diskriminimin pozitiv të tyre dhe orienton masat, drejt shkollimit, mbështetjes financiare por edhe punësimit të banorëve të këtyre zonave. Publikimin e kësaj pakete masash kryetari i qeverisë e shoqëroi dhe me porosi të posaçme për ministrat e linjës, fillimisht me kreun e arsimit.
Kryeministri foli për një shifër mesatare prej 39 % të rekrutimit të të rinjve në shkollat e larta . Në këtë zhvillim ka ndikuar ndjeshëm politika qeveritare e dyerve të hapura në universitete si dhe mbështetja e universiteteve private krahas atyre publike. Por ajo çfarë kryeministri konstatoi me shqetësim është diferenca e fortë në shifrën e rekrutimit në universitete, që paraqesin disa qytete në raport me të tjera.
Sali Berisha: “Por në rast se ne analizojmë përqindjen sipas rretheve dhe marrim rrethet periferike të vendit, Tropojë, Pukë, Has, Kukës, Dibër, Bulqizë, Mat, Mirditë, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Skrapar ne gjejmë se kjo përqindje është rreth 10% më e ulët. Pra platforma e barazisë që paraqesim ne ata i ndëshkon. Është e vështirë të imagjinohet, por përqindja më e ulët 2.5 herë më e ulët se sa mesatarja e vendit është në qarkun e Tiranës dhe kjo jo për Kavajën, Kavaja është afër mesatares, por kjo është për Kamzën, Paskuqanin, Bërxullën dhe zonat përreth për këtë shkak sepse aty edhe shkollat e mesme janë të pakta. Rekrutimi këtu është vetëm 15 %, ndarja e barazisë në këtë mënyrë merr fund, merr fund dhe me shpejtësi të madhe. Se kjo është si të mbjellësh me duart tua varfëri.”
Në paketën e masave parashikohet dhe ndërtimi i një konvikti për ata të rinj të cilët nuk fitojnë të drejtën e studimit. Qëndrimi në konvikt për një periudhë 6 mujore do të shoqërohet me trajnimin e tyre për tu përgatitur për konkurrimin e radhës.
Sali Berisha: “Ndaj dhe bursat do të ketë një diskriminim të qartë pozitiv për këto rrethe. Është e domosdoshme që kjo platformë të përpunohet dhe të vijë në qeveri brenda datës 18 gusht.”
Paketa do të angazhojë po aq edhe ministrinë e bujqësisë.
Sali Berisha: “Nga Tepelena deri në Tropojë, i bie periferisë kryesisht në këto rrethe do ketë një diskriminim pozitiv. Unë kërkoj kritere të reja dhe qëndrim tërësisht të ri ndaj tyre. Kjo është një rrugë absolutisht e suksesshme për luftën kundër varfërisë, kjo është një nga levat, nuk është kjo vendimtare, vendimtare është punësimi, dhe njëherë. Antidoda absolut dhe më i mirë kundër varfërisë është punimi, por ti krijosh atij mundësi për të patur një fermë, për të mbajtur 5 lopë aty ku është, për të patur një plantacion, për ta shtuar atë, për të patur vaditje ti e ndihmon të dalë nga varfëria dhe e ndihmon të punësohet e shtron me të punësuar, ai punësohet aty. Do të kreditojmë të gjitha zonat e prodhimit të madh pa interes dhe kjo është normale sepse ne në politikën tonë duhet të nxisim prodhimin.”
Me një agjendë të ngjeshur ku parashikoheshin të paktën 23 vendime, mbledhja e qeverisë miratoi kalimin në pronësi të parcelave ndërtimore, në favor të poseduesve të objekteve informale. Ky vendim ka si qëllim kalimin në pronësi të rreth 3109 objekteve informale, të cilat u përkasin rreth 4 mijë familjeve./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi