Lajme Arkiva 2003

Ndryshe nga çfarë pritej dhe supozohej në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste nuk është prekur tema më delikate që trazoi ditët e fundit partinë në pushtet. Letra e zëvendës kryeministrit Meta dërguar kryeministrit Nano me një sërë akuzash për qeverisjen e tij. Deputetët socialist në mbledhjen e radhës kanë diskutuar qëndrimin që pritet të mbajnë në seancën parlamentare të paraqitjes së raportit të komisionit hetimor Rama.

Gjithashtu është diskutuar mbi kodin e ri zgjedhor i cili do të kalojë në parlament ditën e enjte. Përsa i përket letrës së zëvendës kryeministrit  Meta një kopje e së cilës tashmë është në duart e zëvendës sekretarit të përgjithshëm Ruçi, për herë ta parë zoti Ruçi deklaron qëndrimin e tij.

Gramoz Ruçi: Problemi i letrës ekziston te ju. Unë e shikoj në mënyrë fare të qetë, me normaliteti e plotë brenda demokracisë së brendshme në parti, çdo anëtarë i kryesisë dhe aq më shumë zoti Meta, si një personalitet dhe figurë qendrore e Partisë Socialiste, ka të drejtë të kërkojë mbledhjen e kryesisë dhe të kërkojë që në rendin e ditës së kryesisë të diskutohet ky apo ai problem. Për mua si sekretar i përgjithshëm është në normalitetin e plotë të rregullave të brendshme të Partisë Socialiste dhe të jetës së përditshme të Partisë Socialiste. Asnjëherë Partia Socialiste nuk ka shkelur normat dhe statutin e vetë dhe sipas rregullave brenda muajit qershor do të bëhet mbledhja e kryesisë të Partisë Socialiste.

Gazetarja: Kjo do të jetë mbledhja e radhës apo e përshpejtuar?

Gramoz Ruçi: Sigurisht do të jetë mbledhja e radhës.

Pavarësisht se në këtë mbledhje grupi nuk është diskutuar letra e zëvendës kryeministrit Meta, jashtë deputetët socialist kanë deklaruar qëndrimin e tyre.

Bashkim Fino: Ka kohë për të reflektuar dhe ka kohë mesa duket pas Samitit të Selanikut unë besoj se do të organizohet mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste ku do të trajtohen me siguri dhe me qetësi të gjitha problemet që ngre jo vetëm zoti Meta por edhe anëtarë të tjerë të kryesisë që mund të kenë gjëra të tjera shtesë apo gjëra të tjera të cilat i kanë shqetësuar gjatë kohës së qeverisjes së Partisë Socialiste.

Gazetarja: Qëndrojnë sipas jush ato që janë thënë dhe janë shkruar?

Bashkim Fino: Si anëtar kryesie unë nuk dua të shprehem. Natyrisht unë kam opsionet e mia, kam synimet e mia. Kam edhe gjëra të tjera që mund të diskutohen në kryesinë e partisë socialiste, le t’ia lëmë kohës që të diskutohen këto çështje. Unë mendoj se duhen reflektuar dhe se duhen rregulluar shumë gjëra, të meta dhe dobësi që ne faktikisht  shikojmë përditë. Gjithmonë në Partinë Socialiste ka pasur mendime, gjithmonë në Partinë Socialiste ka pasur alternativa, gjithmonë në partinë socialiste ka triumfuar edhe mendimi ndryshe, asnjëherë nuk kemi qenë, jo vetëm për veten time, por edhe për të tjerët, këtë e ka treguar jeta politike 12 vjeçare e Partisë Socialiste nuk kanë qenë të regjistruar pas një komandanti të gjithë, përkundrazi PS-ja është një parti e çuditshme, parti me të vërtetë me vlera që vazhdimisht ka bërë debat./tvklan.al