Pas ngjarjes së djeshme në stadiumin “Qemal Stafa” është mbledhur me urgjencë komisioni antidhunë i përbërë nga zv/Ministri i Rendit dhe ai i Sportit, drejtuesit më të lartë të Federatës së Futbollit dhe Komitetit Olimpik si dhe drejtori i sporteve në ministri.
Ky i fundit flet edhe si një trajner futbolli dhe që ka asistuar në ndeshjen e djeshme.
Vasil Bici: “Gjyqtarët luajnë me dy standarde. Janë vetë drejtuesit e klubeve që irritohen. Ata elektrizojnë ambientin dhe bëhen nxitës të një incidenti.”
Nga Federata e Futbollit garantohen masat maksimale të parashikuara nga rregullorja. Sekretari i Përgjithshëm, Eduard Prodani i drejton apelin e tij edhe klubeve.
Eduard Prodani: “Do studiojmë me imtësi faktet dhe do të marrim masat më të rrepta të mundshme që parashikohen në rregulloret e futbollit. Unë do të përfitoja nga rasti për t’iu drejtuar drejtuesve të klubeve që të bëjnë çmos që të eliminojnë të themi deklaratat e qëndrimet që nxisin tensione dhe për pasojë dhunë në futboll”.
Me syrin e një analisti Fatmir Mëneri, kryeredaktori i gazetës Sport Ekspres, konsideron se shkaqet e dhunës ishin disa.
Fatmir Mëneri: “Është një kompleks faktorësh përveç gjykimeve që jo rrallë lënë për të dëshiruar, prekjes direkte të interesave të klubeve. Më pas janë qëndrimet jo fort korrekte dhe jo të ashpra të komisioneve juridike të federatës, qoftë komisionit të disiplinës qoftë komisionit të apelit.”
Rasti më tragjik i dhunës në futboll ishte ai i para disa viteve kur shefi i sektorit të garave në FSHF, Sulejman Mema, u godit disa herë dhe u la pa ndjenja nga tifozë të Burrelit, të cilët kishin arritur të hynin në korridoret e stadiumit të qytetit./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe