Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në mbledhjen e komisionit për reformën zgjedhore, propozimet e reja të paraqitura nga grupi i ekspertëve të OSBE-së, janë vlerësuar nga komisionerët e majtë, duke e cilësuar të dobët punën e tyre, të njëanshme e që nuk marrin parasysh kërkesat e socialistëve.

Ylli Bufi: “Kur ne bëjmë një kërkesë që ekspertët punojnë për një propozim konsensual, ju të sillni një propozim të njëanshëm.”

Elmaz Sherifi: “Ne shikojmë që pikërisht ekspertët nuk janë korrekt në formulimet e tyre, që të bësh ndryshimin e përbërjes së KQZ para 2005, do të thotë që të veprosh në kundërshtim me frymën që ka Kushtetuta. Në formë paraqitet sikur nuk ka ndërhyrje në Kushtetutë, në thelb është ndryshimi i Kushtetutës dhe ky është i papranueshëm për ne.”

Ndryshimi i anëtarëve të KQZ, kërkon vullnet politik, shprehet bashkëkryetari demokrat Jemin Gjana, pasi variantet janë të argumentuara.

Jemin Gjana: “Për fat të mirë nuk na kanë sjellë, ne na kanë sjellë katër variante, dy nuk i ka pranuar deri tani pala juaj, kanë ardh dy të tjera, nuk do t’i pranoni edhe këto, është çështja juaj. Unë dua t’ju deklarojë se ne kemi qene dhe mbetemi pro secilit prej këtyre katër varianteve, por meqenëse i kemi mbyllur dy të parat për të mos iu rikthyer, urdhëroni kemi dy variante të dyta dhe jo në një faqe, por në 10 faqe material të shkruar. Ka një ekspertizë ligjore, e cila është përpjekur të shpjegojë se këto janë kriteret për ta ndërtuar një komision dhe këto janë argumentet që ky komision mund të ndryshohet brenda 2005. Kjo tashmë është çështje e vullnetit politik.”

Dy variantet, njëri që ndryshon të 7 anëtarët e KQZ, e tjetri që ndërpret mandatin e Shimanit, janë cilësuar antikushtetuese nga komisionerët e majtë. Të gjendur në këtë situatë socialistët preferuan largimin./tvklan.al