Shoqata e kryetareve të bashkive, i kërkoi sot qeverisë që të mos cenojë autonominë e pushtetit lokal, në lidhje me buxhetin.

Në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit Edi Rama tha se qeveria aktuale po praktikon sipas tij, një politikë antidemokratike dhe antikushtetuese.

Edi Rama: “Qeverisja jonë vendore është një alternativ e prekshme për qytetarët, por kjo alternativë po has sot në një pengesë për shkak të kundërvënies së hapur të kryeministrit të vendit ndaj pushtetit vendor. Sigurisht që ne do të vazhdojmë të ndjekim rrugën që kemi ndjekur deri më sot duke i kontestuar në gjykatën kushtetuese të republikës së Shqipërisë këto masa flagrante antikushtetuese.”

Rama i kërkoi vendoreve që krahas luftës ligjore të ndiqet dhe një rrugë tjetër paralele.

Edi Rama: “Sot është dita për të thënë që rruga që kemi ndjekur deri më sot nuk mjafton. Është koha për të ndërmarrë hapa të tjerë, është koha për të konceptuar dhe përgatitur protestat edhe në nivelin e realiteteve vendore lidhur me autonominë vendore.”

Takimi i kreut të bashkisë zhvillohet dy ditë para protestës së opozitës për hapjen e kutive të 28 Qershorit./tvklan.al