Partitë e vogla parlamentare të majta dhe të djathta kërcënojnë dy gjigandët e kuvendit PS-PD, tryeza e institucionalizuar në mesditë synon bllokimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën elektorale. Në këtë kontekst partitë pjesëmarrëse mbështesin kërkesën e bërë ndaj Gjykatës Kushtetuese për deklarimin antikushtetues të vendimit të miratuar në kuvend nga PS-PD, deklarojnë mospjesëmarrjen e tyre në këtë Komision të Posaçëm si dhe i kërkojnë Presidentit të Republikës dhe faktorëve ndërkombëtarë të ushtrojnë influencën e tyre në kryerjen e reformës zgjedhore. Nisur nga eksperienca e deritanishme në politikë, republikanët kërkuan ndershmëri në tryezë duke iu referuar partisë demokrate dhe legalistëve, të cilët kanë përfaqësuesin e tyre në komisionin PD-PS.

Fatmir Mediu: “Më duket se ka një dopio xhoko që luhet shpesh edhe në marrëdhëniet tona, prandaj përfitohet edhe në vendimmarrjen e dy partive të mëdha. Në qoftë se ecim që një këmbë ta mbajmë këtu dhe një këmbë ta mbajmë diku tjetër, do të ngelim gjithë kohës me këmbë hapur.”

“ Është e vërtetë që njërën këmbë diku, ata që janë më pak të zvarur apo të pavaruar s’mund ta përcaktoj dot tani, dhe mbetemi me këmbë hapur, sepse këtu jo vetëm që ka dëshira të tilla, por nganjëherë këtu këmbët edhe sikur të duash t’i mbash shtrënguar, nganjëherë t’i hapin me zor.”

Nard Ndoka: “Me të vërtetë disa parti i kanë njërën këmbë andej kurse PDR i ka të dyja këmbët në tokë. Unë si anëtar i këtij komisioni, nuk do të marr pjesë deri në momentin që të shprehet Gjykata Kushtetuese edhe përsëri do t’i nënshtroheni një gjykimi të dytë të partive parlamentare.”

Fatmir Mediu: “Edhe Partia Republikane çon përfaqësuesin, por nuk merr pjesë derisa të vendosë Gjykata Kushtetuese.”

Bashkim Shehi: “Budallenjtë, thotë, mësojnë nga gabimet e vetes, të mençurit mësojnë nga gabimet e të tjerëve.”

Nisur nga ndërhyrja për Komisionin e Posaçëm Parlamentar, partitë e vogla i kërkojnë OSBE-së të përcaktojë qëndrim institucional.

Skënder Gjinushi: “Duke mos lejuar ndikime dhe presione negative në emër të këtyre institucioneve, se e ka dredhur dhe OSBE-ODIHR-i.”

Partitë e vogla do të mblidhen sërish gjatë javës për të diskutuar mbi ndryshimet e nevojshme për reformën elektorale. Në këtë tryezë pjesëmarrësit u deklaruan se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre, pavarsisht lojës së kartonave në kuvend nga dy partitë e mëdha. /tvklan.al