Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit ka mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar në rrugën e saj të integrimit Europian. Konfirmimin e ka dhënë ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Mcllwham.

Gjatë një takimi me studentët e Universitetit Veror të Vlorës, me të cilët ka diskutuar rreth perspektivës Europiane të Shqipërisë, Mcllwham tha, se deklaratat e kryeministrit Berisha dhe zëvendës kryeministrit Meta, për vazhdimin e mëtejshëm të reformave janë tepër inkurajuese.

Fiona Mcllwham: “Qeveria e re ka prezantuar një axhendë të qartë, kur përmbushja e kritereve dhe standardeve evropiane janë në qendër të saj. Kjo është shumë inkurajuese dhe mendoj se ata duhet të fokusohen më tej në këtë objektiv. Mendoj se ka shumë shpresë që Shqipëria të bëjë progres drejt anëtarësimit në BE.”

E pyetur lidhur me vendimin e opozitës për të bojkotuar parlamentin, ambasadorja britanike u shpreh se vëmendja e të gjithëve tashmë është fokusuar në integrimin evropian të vendit, proces në të cilin duhet të përfshihet dhe opozita.

Fiona Mcllwham: “Vëmendja sot është e përqendruar në prespektivën evropiane të Shqipërisë. Kjo kërkon përfshirjen e opozitës, qeverisë, dhe besimin e publikut në procesin e reformave.”

Ambasadorja Mcllwham, u shpreh se zgjedhjet e 28 qershorit shënuan një arritje për Shqipërinë. Një vlerësim më të plotë tha ajo për procesion integrues të Shqipërisë, KE do të paraqesë në progres-raportin e mesit të muajit tetor./tvklan.al