Uruguai ka vendosur që të ekstradojë drejt Italisë, trafikantin famëkeq të drogës, të njohur si “Mbreti i kokainës së Milanos”.

Rocco Morabito u arrestua vitin e shkuar në qytetin rezort të Punta del Este, ku ai jetonte me identitet të rremë prej një dekade. Kreu i dyshuar i organizatës mafioze ‘Ndrangheta ishte një prej personave më të kërkuar në Itali që prej vitit 1995.

Sipas asaj që shkruan BBC, avokatët e tij kanë deklaruar se do ta apelojnë urdhrin e ekstradimit. Gjykatësi, specialist i krimit të organizuar, e aprovoi ekstradimin e Morabito më herët gjatë kësaj jave,  por shtypi uruguaian mori konfirmim të premten.

Organizata mafioze ‘Ndrangheta kontrollon rreth 80 përqind të tregut të kokainës në Europë. Policia thotë se Morabito qëndronte pas trafikimit të qindra kilogramëve kokainë nga Brazili drejt Italisë.

Ai u arrestua Shtatorin e shkuar, teksa po qëndronte në një hotel në kryeqytetin e Uruguait, Montevideo, ku kishte shkuar pas një zënke me bashkëshorten e tij.

Gjatë kontrollit në vilën e tij në Punta del Este, autoritetet zbuluan një armë zjarri, 13 telefona celularë dhe 150 fotografi pasaporte të Morabitos.

/tvklan.al