Ekspertët: Mos i furnizoni nëpër pikat e karburanteve
Edhe pse e ndaluar me ligj, bombolat e gazit vijojnë të mbushen në pikat e karburanteve. Ndodh në mes të ditës, jashtë çdo standardi sigurie.
Të vetëdijshëm ose jo, këta qytetarë përballen çdo ditë me rrezikun. Me mbushjen ne pikat e karburantit, ata mbajnë të njëjtat bombola dhe nuk marrin të tjera, të kolauduara.
Në këtë mënyrë, bombolat nuk u nënshtrohen kontrolleve. Rreziku që gazi të shpërthejë është i lartë.
Pikat e karburantit e kanë të ndaluar shitjen e gazit për familjet, siç thuhet në nenin 15 të ligjit për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”
Ekspertët thonë se gazi që përdoret nga pikat e karburantit është i ndaluar për t’u përdorur për familjarët, sepse ka parametra të ndryshëm nga ai që duhet të mbajnë bombolat.
“Ndryshimi është tek tensioni i avujve që në rastin e automjeteve është jo më i madh se 1300 kilopaskal, për shërbim të qytetarëve është 1000 kilopaskal që do të thotë rrezikshmëria për qëllime rezidenciale është më e ulët”.
Parametrat e sigurisë për një bombol gazi përfshijnë koalidimin, sasinë e gazit, afatin e përdorimit, ndaj çdo shërbim duhet të kryhet vetëm në pikat e autorizuara.
Përdorimi i gazit nga familjarët është më i shpeshtë gjatë periudhës së dimrit duke krijuar jo rrallë herë incidente të rënda. Gjatë muajit janar janë lënduar të paktën 6 persona nga shpërthimi i bombolave të gazit në Tiranë, Durrës dhe Lushnje. Ndërsa në vitin 2019 janë vënë 39 penalitete kundrejt subjekteve të karburanteve për mungese të ligjshmërisë, sigurisë dhe cilësisë së keqe të gazit.
Tv Klan