Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Janë mbyllur sot pasdite zyrtarisht regjistrimet e studentëve në shkollat e larta. Interesimi i të rinjve për të vazhduar arsimin e lartë edhe këtë vit është tepër i madh. Ndërkohë që kuotat e pranimit mbeten të vogla.
Rreth 17 mijë kandidatë pritet t’i nënshtrohen konkursit të pranimit, vetëm në Universitetin e Tiranës. Dega më e synuar edhe këtë vit është Ekonomiku. Në Fakultetin e Ekonomikut nesër kur do të zhvillohet konkursi për studentët e kësaj dege, do të ulen në auditorë për t’ju nënshtruar konkursit 2760 studentë.
Ndërkohë në Fakultetin e Histori-Filologjisë në degët Histori, Gjeografi, Letërsi dhe Gazetari, janë regjistruar së bashku 3011 studentë. Fakultetet e Juridikut dhe Mjekësisë, megjithëse nuk kanë shpallur ende numrin e saktë të studentëve të regjistruar, mendohet të kenë edhe këtë vit një numër të madh studentësh për të marrë pjesë në konkurset e pranimit./tvklan.al