Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas qëndrimit të kompanisë kineze TikTok se mbyllja e platformës për një vit në Shqipëri nuk ka lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në shkollën “Fan Noli” ku humbi jetën një nxënës 14-vjeçar.

Përmes një postimi në rrjetin “X”, Rama thotë se ndalimi i TikTokut për të paktën një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë.


“TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut. Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTokut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, por uron që TikToku ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë. Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTokun, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga TikToku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo platformë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi.”

Rama thekson se vendimi i marrë ishte mëse i qartë.

“Fortlumturisht Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTokut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë: Ose vetë TikToku duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikToku.”

Ndaj këtij vendimi të qeverisë ka reaguar edhe Sali Berisha duke e cilësuar si një ngjarje për qëllime politike dhe një akt ekstrem censure.

“E vërteta është se, Edi Rama vendosi ndalimin e platformës së Tik Tok-ut vetëm e vetëm se, aksionet e tij në mediat sociale kanë rënë përtokë, siç dëshmojnë të gjitha sondazhet. Dhe së fundmi, jemi në prag të zgjedhjeve dhe nuk toleron dot negativitetet e pasqyruara nga qytetarët në këto platforma.”

Lideri i demokratëve tha se pas zgjedhjeve parlamentare, me ardhjen e PD-së në pushtet rrjeti social TikTok do të hapet menjëherë.

Tv Klan