Pas Xhibutit, ndalesa e radhës në udhëtimin e Blendi Fevziut ishte Asmara, kryeqyteti i Eritreas. Eritrea është një ndër tre vendet më të izoluara të botës bashkë me Korenë e Veriut dhe Turkmenistanin.

Në përshtypjet që gazetari ndan me programin “Rudina” në Tv Klan, thotë se e para që i ra në sy ishte se kishte xhiro njësoj si  në Tiranën e dikurshme, ku këmbësorët ecnin në drejtime të caktuara në dy anët e rrugës. Më pas, vihej re arkitektura italiane ku siç thuhej, gozhda e fundit ishte vënë në vitin 1941 dhe më pas, ndërtesat brenda qytetit kishin mbetur të paprekura.

Dy nga eksperiencat që Fevziu tregon për Eritrean janë posta qendrore sepse nuk kishte asnjë mjet komunikimi, nuk kishte internet kështu që ky ishte ende opsioni i vetëm por edhe kafeja tipike që renditet ndër më të mirat në botë.

Blendi Fevziu: Kjo ishte posta qendrore, ishte e  çuditshme. Ata nuk kishin adresa, nuk kishte listë adresash, nuk kishte adresa në shtëpi. Secili ka një kuti postare siç ka qenë përpara dhe dy herë në javë shkonin kontrollonin kutinë postare nëse ka ndonjë gjë për të apo jo. Kjo është kafeja e famshme. Ju e dini që kafeja ka lindur në Etiopi. Etiopia dhe Eritrea kanë qenë një shtet, Abisinia e dikurshme, janë ndarë në vitin 1991 pas 30 vjetësh ekzistencë bashkë dhe kafeja në në Eritrea dhe në Etiopi është nga më të mirat e botës, kuptohet, është “puro Arabica”, ajo e famshmja.  Ata e bëjnë me xhinxher. Nuk e di sesi kafeja brenda, i fusnin një fije xhinxher dhe ajo ishte jo pikante…

Rudina Magjistari: Pra nuk ngjan me kafenë e zezë tonën, ngjan me kafenë arabike që është pak si e  verdhë?

Blendi Fevziu: Po, po, ka shijen arabike tipike./tvklan.al