E rritur mes gjyshërve e stërgjyshërve, këngëtarja shkodrane e ftuar në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan ndan mes emocionesh kujtimet me ta.

Duke treguar pak për secilin, Ketlin Pjalmi veçon më së shumti gjyshin e saj të ndjerë. Ai këtë vit u largua nga jeta dhe ndarjen e tij këngëtarja e cilëson si një prej përjetimeve më të forta e më të vështira që ka kaluar.

Duke u kthyer pas në kohë, Ketlin Pjalmi tregon momentet kur gjyshi i saj për 9 vite rresht e shoqëronte në shkollë duke i mbajtur çantën e shpinës, apo kur e priste të mbaronte provat. Ai ishte gjithmonë me të, në çdo hap të saj duke e pritur dhe duke e shoqëruar pa u lodhur.

Ketlin Pjalmi: Unë kam pasur gjyshin që ka ndërruar jetë dhe mendoj se kjo ka qenë gjëja më e fortë që kam përjetuar në jetë dhe ndjesia më e keqe. Gjyshi ishte shoqëruesi i 9 viteve të mia në shkollë. Unë nuk mbaj mend ndonjëherë që ta kem mbajtur çantën e shpinës sepse gjyshi ma ngjiste deri në katin e tretë sepse thoshte që vajzës nuk duhet që t’i dëmtohet shpina. Gjyshi ishte ai personi që sa herë binte shi, nxënësit e klasës ishin të gjithë të qetë sepse gjyshi vinte gjithmonë me çadra. Gjyshi më çonte çdo ditë në prova edhe nëse të gjithë prindërit largoheshin, sepse normalisht kishim 2 ose 3 orë unë mbaj mend që tek Qendra Kulturore e Fëmijëve kishte një gur dhe ai ishte i vetmi person që në shi, në borë, në diell ishte aty tek guri dhe kur i thoshin që “pse ikën”, thoshte gjithmonë që “ndoshta i duhet diçka Ketlinit ose shoqeve të saja”, dhe ai nuk ikte kurrë prej aty. Kjo më ka bërë që të rritem me sigurinë me të madhe në botë, që çfarë do që të ndodhë ka kush kujdeset për mua, ata janë aty për mua. Dhe besoj se këtë anën e qetësisë që unë kam si natyrë, jo vetëm e qetë si impuls, por edhe qetësi shpirtërore besoj se e kam fituar nga ata sepse unë e di që tek secili do të shkoj kam një pjatë të mirë për të ngrënë dhe të ngrohtë. E kam ditur që unë kurrë nuk kam për ta diskutuar se kush do të më çojë në prova, kush ka për të më marrë nga shkolla, realisht jam me shumë fat. Sot që jam bërë mami vetë, para se vija këtu unë ia kam nisur veshjen gjyshes për të pohuar nëse jam mirë apo jo sepse kështu jam mësuar.

Katerina Trungu: Ky gjyshi që të ka shoqëruar ty kudo, ka qenë më i lidhuri nga 3 të tjerët me ty?

Ketlin Pjalmi: Nuk mund të them se ka qenë më i lidhuri, por ka qenë tipiku i gjyshit që është vetë sakrifikuar deri në vetëmohim për mua. Jo vetëm për mua, por edhe për nënën time. Ndonjëherë kur e kujtoj them me vete sa e keqe paskam qenë dhe nuk e di nëse do të bëja të njëjtën gjë as për vajzën time e jo më për mbesën. Unë isha jo vetëm në 9-vjeçare e shoqëruar çdo ditë prej tij, gjyshi çdo ditë që isha në gjimnaz më dilte tek një pjesë e rrugës, jo tek dera sepse unë isha rritur dhe nuk e lejoja më, dhe më jepte një banane, një lugë mjaltë dhe më thoshte “të paktën ta shoh që mjaltin je duke e ngrënë dhe të shkoj i qetë në shtëpi”. Unë isha adoleshente jo vetëm që nuk e vlerësoja, por më dukej “O Zot duhet që të ndalem të bëj check-in tek gjyshi dhe të ha mjaltin”. Ndonjëherë nuk shkoja në shkollë, ndonjëherë kisha aktivitete, unë nuk e lajmëroja dhe ai ishte aty përditë edhe pse unë nuk kisha dalë hiç dhe asnjëherë nuk më tha “po si nuk më the, më bërë të dal kot”, kurrë. Ndoshta nuk mjafton emisioni që unë të flas për atë dashuri dhe konsideratë që kam për ata, vetëm se di të them që janë me shumë fat kushdo që i ka afër./tvklan.al