Në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu pas një atentati vetëvrasës janë shënuar dhjetëra viktima. Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë askush, dyshimet të çojnë tek organizata milice islamiste, Al-Shabab.
Në një nga sulmet më të rënda të muajve të fundit në Mogadishu, kryeqytetin e Somalisë kanë humbur jetën më shumë se 90 vetë dhe janë plagosur shumë të tjerë. Vetëm në spitale janë dërguar 73 kufoma, bëri të ditur drejtuesi i spitalit të qytetit Medina, Mohamed Jusurf. Ndërkohë po trajtohen 54 të plagosur. Ende nuk dihet saktë se sa viktima janë dërguar në spitale. Autoritetete somaleze bënë fjalë për 70 civilë të lënduar. Një atentator vetëvrasës ka shpërthyer një automjet të ngarkuar me eksploziv në një kryqëzim rruge tek një lagje mjaft e populluar të shtunën.
Charles Michel: Europa do ta mbështesë Afrikën në luftën kundër terrorizmit
Mes viktimave ndodhen shumë nxënës dhe studentë, autobusi të cilëve u godit nga shpërthimi. Autoritetet bënë fjalë, se mes viktimave ndodheshin edhe tre qytetarë turq, tre inxhinierë, që ishin pjesë e një projekti për rikonstruksionin e një rruge lidhëse mes Mogadishut dhe Afgoyes. Bashkimi Europian e dënoi dhunën. Kreu i Këshillit të BE, Charles Michel shkroi në twitter se “Europa do ta mbështesë Afrikën më tej në luftën kundër terrorizmit.” Kurse Rusia bëri fjalë për një akt barbar, që synon të destabilizojë këtë vend. Presidenti i Somalisë, Mohamed Abdullahi Farmajo i bëri thirrje popullit të tij të ruajë unitetin.
Dyshohet Al-Shabab pas sulmit
Deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për atentatin. Në të shkuarën ishin milicët e organizatës islamiste, Al Shabab që kanë kryer shumicën e atentateve. Ata duan të rrëzojnë qeverinë somaleze që mbështetet nga OKB. Milicët u dëbuan në vitin 2011 nga trupat e Unionit Afrikan nga kryeqyteti somalez. Fundamentalistët sunitë kontrollojnë megjithatë pjesë të tëra të vendit afrikanolindor. Somalia tronditet që nga viti 1991 nga konfliktet, pasi krerë të klaneve të ndryshme rrëzuan nga pushteti dikatorin Siad Barre dhe që atëherë luftojnë kundër njëri-tjetrit./DW