Ka nisur mes emocionesh dhe surprizash java e pestë e spektaklit “Love Story” në TV Klan, teksa konkurrente të reja janë bërë pjesë e kësaj romance live.
Ashtu siç ishte lajmëruar edhe nga produksioni, tre vajza janë pranuar nga audicionet për tu bërë pjesë e këtij ‘reality dating show’.
Redona është 22-vjeçarja me profesion administratore biznesi, e cila ka ardhur nga Italia për të bërë për vete Saimirin.
Ajo shprehet se për 33-vjeçarin i ka folur mamaja e saj, teksa edhe Redonës i është dukur një djalë serioz dhe inteligjent.
“Duke shkuar në punë me mamin, më tregoi për Saimirin. Në fillim nuk i kushtova shumë rëndësi sepse mendova që ai s’bën për mua.
Por kur më tregoi foton në Instagram më tërhoqi shumë dhe mu duk një djalë serioz, inteligjent dhe me qëllime të mira. Më pëlqen shumë sjellja e tij e qetë dhe edukata që ka”, ka thënë Redona.
Më tej ajo ka folur edhe pak për veten, duke theksuar se është një vajzë ambicioze dhe e ndjeshme.
“Unë e konsideroj veten si një vajzë ambicioze, me karakter dhe e sigurt për atë që dëshiron. Por në të njëjtën kohë jam edhe një vajzë e thjeshtë, e ndjeshme me një shpirt të lirë dhe empatike.
Pasionet e mia më të mëdha janë të lidhura me fotografinë dhe modelingun. Jam xheloze aty ku duhet, por tradhtinë dhe mashtrimin nuk e fal. Fakti që po hyj me vonesë në këtë program mendoj se është pozitiv pasi tani ka më shumë emocione”, shprehet ajo.
Përveç Redonës, në konkurrim këtë javë janë futur edhe Genarda e Valentina./tvklan.al