Emili Sholla, një denoncuese nga Berati tregon për “Stop” në Tv Klan se ka mbaruar studimet e larta për edukatore çerdheje. Ajo thotë se ka ndjekur të gjitha hallkat në bashkinë e Beratit e i kanë thënë,se kërkesa e saj do të shihet me prioritet. Por në vendin e saj punojnë persona pa arsimin e duhur.

Familja e Emilisë ka bërë një takim me drejtoreshën e Arsimit pranë Bashkisë Berat, Klodiana Hoxha dhe i është thënë se përse në çerdhen e Uznovës është punësuar një punonjëse me shkollë të mesme që ishte sanitare për larjen e rrobave. Drejtoresha tha se shkolla e lartë nuk është kriter për punësim.

Familja: Është me firmën e kryetarit të Bashkisë, thuhet që: “Me t’u hapur një vend vakant, vajza është prioritet”. Vendi vakant ishte në Uznovë dhe tre javë ka zonja që ka filluar në vendin vakant, ku më parë ka qenë në lavanderi. Ndërkohë, është e regjistruar, vazhdon shkollën në Gjirokastër, kur goca ime e ka mbaruar shkollën. Pse duhet ta lërë atë punë dhe të vazhdojë atje, kur ndërkohë mbarove shkollën, nuk shkëputet nga puna dhe s’futet dikush tjetër?

Klodiana Hoxha, dr.e Arsimit Berat: Kemi thënë disa herë që shkolla e lartë nuk është kriter. Te kopshti Uznovë, zonja që ka zëvendësuar aty, ka qenë punonjëse e kopshtit.

Familja: Ka punuar në lavanderi.

Klodiana Hoxha, dr.e Arsimit Berat: Po!

Familja: Me shkollë të mesme.

Klodiana Hoxha, dr.e Arsimit Berat: Dhe nuk është kriter, që edukatorja e çerdhes të jetë me shkollë të lartë. Ajo është me shkollë të mesme të përgjithshme dhe po bën studimet edhe për fëmijët 0-3 vjeç. Do ketë raste të tjera.

Familja: Po pse duhet të presë goca ime me shkollë të lartë, kur ndërkohë ajo nuk e ka mbaruar shkollën? Ndërkohë zonja ishte në punë!

Klodiana Hoxha, dr.e Arsimit Berat: Sepse shkolla nuk është kriter parësor.

Ndryshe nga biseda me familjarët e Emilisë, drejtoresha Klodiana Hoxha i thotë të kundërtën gazetarit të “Stop” duke i pohuar se arsimi i lartë është kriter. Madje thotë se nuk kanë punësuar edukatore me shkollë të mesme. Sipas Hoxhës, punonjësja e lavanderisë ka mbaruar studimet dhe ka të drejtë për të qenë edukatore.

Klodiana Hoxha, dr.e Arsimit Bashkia Berat: Edukatore çerdhe mund të jenë edhe ato që kanë mbaruar Infermieri, Psikologji apo që kanë mbaruar degë të Mësuesisë.

Gazetari: Pra, po flasim gjithmonë që kriteri kryesor është shkolla e lartë?

Klodiana Hoxha, dr.e Arsimit Berat: Një ndër kriteret.

Gazetari: Është shkolla e lartë. Nëse flasim për arsimimin është shkolla e lartë.

Klodiana Hoxha, dr.e Arsimit Berat: Po!

Gazetari: A mund të ndodhë që pjesë e këtij sistemi në çerdhe, të punësohet një person, që ka thjesht shkollën e mesme ose është në ndjekje të një shkolle të lartë?

Klodiana Hoxha, dr.e Arsimit Berat: Ne nuk kemi punësuar vitet e fundit edukatore që të jenë me shkollë të mesme. Një punonjëse lavanderie, shumë e nderuar që ka mbaruar shkollën e lartë për të qenë edukatore, për edukatore çerdheje, e ka të gjithë të drejtën për të qenë edukatore çerdheje.

Familja e së resë kontakton sërish me kryetarin e bashkisë që i jep një përgjigje të prerë.

Familja: Doja t’ju takoja të flisja me ju.

Ervin Demo, kryetar i Bashkisë Berat: Dakord, të takoj unë, por të kuptosh: Punë me dhunë nuk ka!/tvklan.al