Banka e Shqipërisë mendon se edhe gjatë 2010 do të ruhet ritmi pozitiv i rritjes ekonomike.

Megjithëse pa dhënë shifra mbi nivelin e rritjes, siç beri pak ditë më parë grupi financiar Unicredit që parashikoi për këtë vit një rritje ekonomike prej 8,9%, guvernatori Fullani e ka cilësuar si thelbësore vijueshmërinë pozitive të ekonomisë shqiptare gjatë 2010.

Fjorald Zguro: “Ditët e fundit Unicredit ka nxjerrë një projeksion pozitiv për rritjen ekonomike të Shqipërisë, cili është komenti juaj në lidhje me këto zhvillime të pritshme për këtë vit?”

Ardian Fullani: “Komenti ynë si Bankë Shqipërie është që Shqipëria do të gjenerojë dhe për 2010 rritja ekonomike, çka është shumë e rëndësishme në kontekstin global dhe njëkohësisht mjaft e rëndësishme për agjentët ekonomiko-financiar të vendit për të monitoruar mirë bizneset e tyre.”

Guvernatori ka komentuar edhe mbi ecurinë e lekut në raport me monedhat e tjera, duke e cilësuar lekun si një monedhë të stabilizuar.

Ardian Fullani: “Unë mendoj që leku qëndron në një ekuilibër të tij brenda parametrave ekonomiko-financiar të vendit. Leku ka treguar një rezistencë të mirë ndaj faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm dhe njëkohësisht jam i besimit që këto ekuilibra do të ruhen dhe në të ardhmen.”

Deklarata u bë pas përurimit të Qendrës Kërkimore në lagjen Mangalem në Berat. Me krijimin e kësaj qendre kërkimore tha Fullani, Banka e Shqipërisë do t’i japë hov të punës së saj shkencore duke e kthyer këtë në një qendër rajonale.

Në Berat guvernatori pati edhe një takim me nxënës të shkollave të mesme ku ka diskutuar lidhje me edukimin./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro