Drejtuesit e Partisë Socialiste në Bashki e Komuna, organizuan një proteste kundër asaj që kjo forcë politike e quan si shkelje të autonomisë vendore.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht dhe kryetar i PS-së, Edi Rama, parashtroi 5 kërkesa dhe vuri një afat deri me 5 Dhjetor për plotësimin e tyre.
Edi Rama: “Qeveria në rrugë anti kushtetuese ndërhyri direkt në përcaktimin e nivelit të tarifave. Bizneset e vogla me xhiro nga 5 në 8 milion nuk klasifikohen më si të tilla po si biznese të mëdha, të bëhet më në fund kompensimi i të ardhurave të munguar 5 vjet me radhë në hartine bashkive e komunave nga përgjysmimi arbitrarë i taksës së biznesit të vogël në vitin 2005. Ti jepet fund praktikës korruptive të grandeve konkurruese. Të aplikohen më në fund taksat e ndara”.
Por këto pretendime bien ndesh me konstatimet e Këshillit të Evropës mbi procesin e decentralizimit dhe marrëdhënieve të qeverise qendrore me qeverisjen lokale.
Presidenti i Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Lokale, Ian Mikalef, tha qartazi pas një takimi që pati ne fillim të muajit me Edi Ramën, se në asnjë rast nuk ka konstatime negative për procesin e decentralizimit në Shqipëri dhe cenimin e pavarësisë se pushtetit lokal nga ai qendror.
Ian Mikalef: “Shoh që gjërat po ecin me një trend pozitiv. Nuk ka pasur asnjë raport që flet për cenimin e pushteti lokal. Ka disa deklarata apo pretendime të cilat duhen parë, por kur zhvillova bisedime me presidenti e republikës, kryeministrin dhe me ministrin Basha, konstatova se nuk ka asnjë vullnet nga qeveria, asnjë synim, për të ndërhyrë në autonominë e pushtetit lokal. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Nuk po them që çdo gjë është perfekte por siç themi ne në anglisht, në rast se ka vullnet, ka një mënyrë. Pra, në rast se ka një vullnet politik të qeverisë për të vazhduar në rrugën që siguron autonomi për pushtetin lokal, atëherë këtë do ta kemi shumë shpejt në këtë vend”.
Ndërsa nga përfaqësues të qeverisë, ato janë konsideruar si jashtë realitetit.
Florjon Mima: “Kam mbetur i shtangur nga 5 pikat që lexova sot, të pesta nuk kanë lidhje me realitetin shqiptar. Në qoftë se zoti Rama mendon që kjo temë duhet rihapur, të lërë megafonin i cili nuk është mjet për të bërë dialog, të vij dhe të dialogoj në parlament”.
Reis Çiço: Ju jeni gati të dialogoni?
Florjon Mima: “Absolutisht. Kjo sepse si praktikë është praktikë që ndeshet në mjaft vende të tjera. Hajde ta diskutojmë, por kjo në rrugë e me megafon nuk diskutohet”.
Por pavarësisht konstatimeve të Këshillit të Evropës dhe sqarimeve të dhëna nga mazhoranca, Edi Rama tha se nëse kërkesat nuk do të plotësohen, atëherë vendoret socialiste do ta përshkallëzojnë protestën e tyre./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro