Debati i kësaj vere në Europë ka qenë shmangia e turizmit masiv dhe vendeve sa më të qeta për të pushuar. Mbi këtë temë, RTL, një nga televizionet më të mëdhenj në Belgjikë ka bërë një listim të destinacioneve më të mira europiane. Dhe në krye të sugjerimeve vjen Shqipëria.
“Ka disa destinacione që nuk janë viktima të turizmit masiv dhe kemi kontaktuar agjenci të shumta turistike. Fillimisht ju sugjerojmë të udhëtoni në Evropë dhe më saktë në Shqipëri, ku gjejmë peizazhe të egra e male, 300 km bregdet dhe ujëra të kristalta. Për më tepër, vendi ka zhvilluar prej disa vitesh ofertën e tij turistike dhe kjo duket se po funksionon pasi në dy vite numri i vizitorëve u dyfishua për të arritur në 10 milionë turistë në vitin 2023”, thotë gazetarja Laura van Lerberghe.
Televizioni belg citon menaxhere të agjencive të udhëtimit që thotë se Shqipëria është kthyer në një destinacion mjaft popullor kohët e fundit. Kjo jo vetëm për plazhet dhe natyrën, por edhe për qytetet dhe historinë e tyre.
Në Europë, Shqipëria rekomandohet krah destinacioneve si Sllovenia dhe Irlanda. Turistët belgë kanë qenë në rritje kohët e fundit në vendin tonë jo vetëm në plazhe, por edhe në destinacionet e trashëgimisë kulturore.
Tv Klan