Zbardhet axhenda e kryeministrit Edi Rama në Belgjikë, aty ku do të kryesojë delegacionin shqiptar në konferencën e tretë ndërqeveritare me Bashkimin Europian.
Parashikohet që kreu i qeverisë shqiptare të niset pasditen e sotme dhe të mbërrijë në orën 19:00 në aeroportin ndërkombëtar të Brukselit. Atje ai do të pritet nga ambasadori i Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Ditën tjetër, më 17 Dhjetor, Rama do të kryesojë delegacionin e vendit tonë në konferencën ndërqeveritare ku pritet të hapet grupkapitulli i gjashtë që përfshin politikën e jashtme, të sigurisë dhe atë të mbrojtjes.
Ky pritet të jetë edhe grupkapitulli që do të finalizohet në një kohë të shkurtër pasi vendi ynë ka treguar vullnet maksimal për të njehsuar vendimmarrjen me Brukselin në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë si dhe qëndrimin për konfliktin në Rripin e Gazës.
Kujtojmë se më 15 Tetor, Shqipëria hapi pesë kapitujt e anëtarësimit pjesë e çështjeve themelore si Gjyqësori të Drejtat Themelore, Drejtësia, Prokurimet, Statistikat, Sigurinë dhe Kontrollin Financiar.
Vizita e Ramës në Belgjikë do të përfundojë më 18 Dhjetor, pasi të mërkurën ai do të ulet së bashku me liderët e tjerë të rajonit në tryezën e samitit me 27 homologët e BE-së, eventi i parë i kryesuar nga presidenti i ri i Këshillit Europian, Antonio Costa e po ashtu komisionerja e re për zgjerimin Marta Kos./tvklan.al