Greva e 11 deputetëve të parlamentit shqiptar ka gjetur hapësirë edhe në mediat e huaja dhe ato rajonale.
Associated Press pasqyron reagimin e deputetëve si një qëndrim ndaj ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.
Mbyllja e seancës së djeshme ka qenë jo e zakonshme kur 11 deputetë me në krye kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kanë vendosur të nisin një grevë urie.
Pikërisht si Associated Press, ashtu edhe mediat e tjera i referohen fjalës së Metës për një qëndrim demokratik dhe civil. Po kështu kanë shkruajtur dhe shtypi italian, portugez apo ai i vendeve fqinje si Maqedonia dhe Kosova.
Duke cituar deklaratën e kreut të LSI-së, shtypi vë në dukje qëndrimin e opozitës kundër mazhorancës për ndryshimet në kodin zgjedhor.
Prej kohësh partitë opozitare kanë kundërshtuar këto ndryshime, duke i gjykuar si diskriminim ndaj partive të vogla./tvklan.al