Ndonëse këmbëngul në zbatimin e marrëveshjes me Shqipërinë, qeveria italiane duket se ka reflektuar pas vendimeve të Gjykatës së Romës që kthyen dy herë në Itali emigrantët e strehuar në kampin e Gjadrit.

E përditshmja italiane “Corriere della Sera” shkruan se qeveria mund të bëjë në heshtje një hap pas dhe ta lerë pezull për momentin dërgimin e emigrantëve të tjerë drejt Shqipërisë, derisa Gjykata Europiane e Drejtësisë të japë një vendim përfundimtar për listën e vendeve të sigurta të hartuar nga qeveria italiane dhe që kontestohet nga gjykatat vendase.

Hidhen dyshime se për këtë çështje është diskutuar mbrëmjen e të martës në selinë e Kryeministrisë në Romë në një mbledhje mes shefes së qeverisë Xhorxhia Meloni dhe ministrit të Brendshëm, Mateo Piantedosi, për të cilën nuk jepen detaje. Tërheqja duket se është bërë për të shmangur kostot e tepërta financiare të transportit me anije ushtarake të emigrantëve drejt Shqipërisë.

Ndërsa e përditshmja tjetër “La Republika” shkruan se në mbledhje është diskutuar edhe reduktimi përkohshëm i stafit në kompleksin e Shëngjinit dhe Gjadrit. Nga 220 persona aktualisht të punësuar, pritet që numri i të reduktohet deri në 170. Marrëveshja parashikon 298 të punësuar në total, kryesisht policë.

Në një tjetër koment, miliarderi amerikan Ilën Mask shtron pyetjen “Italianët jetojnë në demokraci apo në një autokraci të pazgjedhur që merr vendime”, duke iu referuar gjykatave vendase. Komenti i përgjigjet presidentit Serxho Matarela, i cili i kërkoi atij të mos ndërhyjë në punët e një shteti demokratik.

Tv Klan