Lajme Arkiva 2003
Ndonëse 5 gushti do të ishte dita e përfundimit të listës së kandidatëve demokrat në të gjithë vendin, çështjet me aleatët ende nuk janë zgjidhur, pasi ka shumë pakënaqësi nga partitë e spektrit të djathë.
Gazetarja: A janë marrë parasysh të gjitha kërkesat e Partisë Republikane për bashkitë dhe komunat?
Fatmir Mediu:Bazuar mbi të gjitha të dhënat që kemi pasur, bazuar edhe mbi pretendimet e kandidatëve të rinj jemi përpjekur që të ndërtojmë edhe marrëdhëniet me partinë demokratike. Ka pasur kuptime dhe moskuptime. Ka edhe momente të cilat ne i gjykojmë ndryshe nga Partia Demokratike, ashtu siç mund të ketë Partia Demokratike momente dhe njerëz që gjykojnë ndryshe nga Partia Republikane, por prandaj jemi edhe dy subjekte të ndryshme, për të gjykuar edhe ndryshe. Është e rëndësishme që kemi arritur në koncepte të përbashkëta në pjesët më të rëndësishme.
Gazetarja: Më konkretisht sa bashki dhe komuna kërkon Partia Republikane?
Fatmir Mediu: Nuk flitet për të bërë pazar me Partinë Demokratike për ti marrë asaj kona dhe bashki, flitet për të ndërtuar partneritet për të fituar maksimalisht si Partia Demokratike ashtu edhe Partia Republikane.
Të njëjtin qëndrim ruan edhe kryetari i Ballistëve Shpëtim Roqi. Sipas tij bashkëpunimi me Partinë demokratike do të jetë vetë në nivel lokal.
Shpëtim Roqi: Formula që ofron Partia Demokratike mendoj se nuk është e përshtatshme për llogaritë elektorale pasi është shumë e vështirë të mbledhësh votën e partisë kur nuk ke kandidat. Kështu që mendoj se edhe vendimi do të jetë i shpejtë dhe partia e ballit kombëtar do të dalë më vete, ndërsa nuk do ti mbyllë mundësitë për bashkëpunim zonal atje ku do të arrihen marrëveshjet dhe ku llogaritë elektorale i leverdisin degëve tona.
Orikumi është lënë i lirë për ballistët ndërsa për Lezhën nuk është rënë dakord për vetë faktin se emrat për kandidatë bashkisë dhe komunash janë shpallur nga Partia Demokratike./tvklan.al