Në vijim të turit të tij elektoral, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, dhe anëtarë të tjerë të kryesisë së kësaj force ishin në tubimin elektoral të radhës, në qytetin e Elbasanit. Gjatë fjalës së tij  Mediu tha se votat e dhëna në 2005 për t’i dhënë qeverisjen mazhorancës aktuale, realizuan anëtarësimin në NATO dhe votat në 28 Qershor për Nr. 16, Partinë Republikane, do të sjellin standarde edhe më të larta, standardet europiane që çdo shqiptar meriton.

Fatmir Mediu: “E pra ne u bashkuam në 2005-n duke dëgjuar zërin e Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë. Sepse elbasanasit e shqiptari do nderë, dinjitet, punë dhe vendin aty ku e ka caktuar zoti në BE. Ky ishte qëllimi ynë dhe ne e realizuam hapin e parë me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”.

Sipas numrit një të PR-së, Fatmir Mediu, brenda vitit të pare të mandatit të dytë të koalicionit të djathtë forca politike që ai përfaqëson do të zgjidhë përfundimisht çështjen e pronës si një ndër parakushtet për hyrjen e vendit tonë në familjen e madhe europiane./tvklan.al