“Shqipëria është një vend interesant dhe përherë e më shumë ne po e shohim vendin tuaj, si partner të sigurt për bashkëpunime.” Kështu është shprehur ish-zëvendës sekretari i Mbrojtjes Amerikane Gordon England, gjatë takimit të tij me kreun e republikanëve në selinë e Partisë Republikane.
England shtoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një arritje e madhe, ndërsa përgëzoi Mediun për reformat të ndërmarra kur ai ishte në krye të ministrisë së Mbrojtjes. Duke deklaruar se nëse Shqipëria sot është pjesë e Aleancës është falë edhe lidershipit të saj. Nga ana tjetër kreu i republikanëve Fatmir Mediu e njohu Ish-Zv/sekretarin i Mbrojtjes Amerikane me historikun e partisë që drejton, ndërsa falënderoi për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj dhe veçanërisht në procesin e anëtarësimit në NATO.
Duke e konsideruar zotin England si një mik të shqiptarëve, Mediu i kërkoi atij të përcillte një tjetër përshëndetje për një tjetër mik të shqiptarëve, për ish presidentit George Bush.
Pas takimit në selinë e Partisë Republikane, ish-zëvendës sekretari i Mbrojtjes Amerikane i shoqëruar nga kryetari i Republikanëve Mediu vizituan xhaminë e Et’hem Beut në qendër të Tiranës, ku England shprehu vlerësimin për bashkëjetesën fetare në Shqipëri, si një shembull që duhet marrë nga shumë vende./tvklan.al