“Operacioni “Forca e Ligjit” është duke vepruar prej kohësh dhe ka dhënë rezultate konkrete ku disa grupe kriminale janë goditur, hetimet vazhdojnë dhe të tjerë do të goditen”.

Kështu është shprehur nga foltorja e Kuvendit, Zv/kryeministrja Senida Mesi, teksa ka folur për luftën ndaj krimit të organizuar.

Ndonësë projektligji në diskutim të rendit të ditës kishte bënte me çështje të bujqësisë, Mesi si deputete e qarkut të Shkodrës, nuk ka mundur të mos prekë çështjet e sigurisë dhe rendit, veçanërisht pas ndalimit të grupit famëkeq “Bajri” nga ana e policisë.

“Lufta ndaj krimit të organizuar nuk lejon asnjë kompromis sado risk që mbart dhe ne jemi të vendosur të sigurojmë jetën dhe mirëqenien e çdo shqiptari, çdo investitori të huaj apo vendas”

, u shpreh Mesi.

Në fjalën e saj, teksa foli për investimet në ekonomi, Zëvendës Kryeministrja u ndal edhe tek reforma në drejtësi dhe vetingu, si parakusht për zhvillimin ekonomik.

“Reforma në drejtësi do të vazhdojë të thellohet, vettingu po jep rezultatet dhe ngritja e organeve të reja do të mundësojë më në fund drejtësinë e re që është parakusht për çdo hap që hedhim drejt zhvillimit ekonomik dhe demokratizimit të vendit”

, u shpreh Zëvendës Kryeministrja.

Ndërkohë, lidhur me investimet në bujqësi, Mesi tha se janë marrë të gjitha masat e nevojshme nga ana e qeverisë shqiptare për hapjen e programit të finacimit IPARD II.

“71 milionë Euro grante për sektorin e zhvillimit rural të Shqipërisë do të financohen nga BE, dhe 23 milionë Euro do të jetë vlera e financimit nga ana Qeverisë Shqiptare, në mbështetje të fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare”

, tha Senida Mesi.

/tvklan.al