Humbjet, sfidat, momentet e dhimbshme dhe të vështira burojnë mësime dhe përvoja. Ky është qëllimi i Albës, që me ardhjen e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” dëshiron t’i japë bashkëshortit ose”të dashurit”, siç e quan ajo, Adrianit forcë, por edhe t’i kujtojë se ka ende kohë për të vepruar ndryshe.

Të dy kanë humbur njërin prind pak kohë më parë,  por ndryshe nga Alba, Adriani ka patur mundësinë të kujdeset me nënën e tij. Ai e ka ende të vështirë të shkëputet nga kujtimet dhe përmes këtij mesazhi në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Alba i shpreh se mësimi më i mirë që të dy kanë marrë, është t’i japin vetes më shumë mundësi për të ndenjur me fëmijët.

Alba: Adi, ti e di shumë mirë që unë gjithmonë shpirtin e babit e kam identifikuar me një flutur. Edhe kur ndërroi jetë mami,  flutura ishte aty, pra kjo historia e  fluturës qenka gjithmonë e vërtetë. Edhe të doje ta sillje nuk do mbërrinte kështu. Adi, e di që humbja e nënës nuk është e lehtë për t’u kapërcyer por ti pate fatin t’i shërbeje asaj, t’i merrje asaj ndërsa unë në humbjen e babit nuk pata mundësi. Unë nuk pata mundësi si bijë të kisha kujtime me babain tim. Kujtimet për të unë i kam vetëm nëpërmjet fjalëve të motrës, të vëllait dhe fëmijëve tanë të cilët e deshën shumë gjyshin dhe gjetën mundësinë ta takonin. Por ne që pësuam duhet të mësojmë, duhet të mësojmë dhe t’u krijojmë fëmijëve tanë mundësi të kenë ata kujtime me ne. Për ne jeta duhet të vazhdojë duke mbartur kujtimet e  prindërve tanë, por dhe duke u lënë kujtime fëmijëve tanë. E dimë që ata janë të ngarkuar me punë, shpesh ndodh edhe mos t’i takojmë pavarësisht se fati na i ka lënë këtu në Shqipëri, nuk na i ka degdisur rrugëve të botës dhe përsëri…

Adrian: Edhe në Shqipëri ai që do të punojë ka mundësi të realizojë ëndrrën e vet, Shqipëria ka shpresë për ata që duan. Është e vështirë, por ka shpresë.

Ardit Gjebrea: Shiko Adi, nga këto humbje që keni patur ti dhe Alba, cili është konkluzioni që ke nxjerrë?

Adrian: Jeta nuk është fushë me lule dhe martesa, ne vërtet jemi të dashur, por edhe martesa ka ato oshilacionet e veta, por njeriu brenda vetes e gjen atë që t’i sheshojë dhe mbi të gjitha të tregojë dashurinë, mos të shohë atë mangësinë ose defektin te partneri, gjërat e vogla harrohen./tvklan.al