Në një kohë kur ka skaduar afati i vënë nga Partia Socialiste për ministrinë e Brendshme lidhur me informacionin që selia rozë i kërkon kësaj të fundit për të dhënat e detajuara të shtetasve me pasaportë dhe për ata që kanë aplikuar për kartë ID, një tjetër deklaratë politike vjen nga Lëvizja Socialiste për Integrim në lidhje me këtë proces.
Në një konferencë për mediat kryetari Meta tha, se dy partitë e mëdha nuk duhet të shtyjnë për asnjë motiv zgjedhjet parlamentare e 28 qershorit.
Ilir Meta: “Kanë patur 4 vjet kohë për të bërë reformën zgjedhore dhe për të zgjidhur problemin e kartave. Kemi që në janar që u kërkojmë që të gjejnë një zgjidhje konsensuale për çështjen e kartave. Nuk duhet të na turpërojnë që të shtyjmë zgjedhjet apo t’i dështojmë ato tani më që jemi dhe vend anëtar e NATO-s sepse do të diskreditonim edhe NATO-n, si një aleancë që pranon vende të papërgatitura për demokraci dhe për zgjedhje të lira të ndershme. Duhet të gjendet çdo zgjidhje për të realizuar standarde sa më të pranueshme në 28 qershor.”
Deklarata e Metës u bë gjatë një konference për shtyp ku kreu i LSI u ndal edhe tek raporti i fundit i USAID-it në lidhje me pasqyrimin e fushatës elektorale në media. Me tej ai u shpreh i gatshëm për të qenë pjesë e një debati televiziv si me kreun e partisë Socialiste, ashtu edhe kryeministrin Berisha, për të diskutuar rreth programit zgjedhor dhe qeverisës të LSI-së./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro