Prioritet e diplomacisë shqiptare dhe sfidat që na presin pas anëtarësimit në NATO ishin në fokus të një aktiviteti të organizuar nga instituti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe këshilli shqiptar për marrëdhëniet me jashtë.

Për numrin një te Ministrisë së Jashtme, Ilir Meta, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi i vendit tonë në Bashkimin Evropian mbeten angazhimet kryesore të qeverisë katër vitet në vijim.

Ilir Meta: “Politika e jashtme është plotësisht e vendosur për rritjen e sigurisë dhe për të garantuar stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik në rajon. Politika e jashtme ka si prioritet madhor integrimin e plotë në BE. Po kaq i rëndësishëm është për Shqipërinë procesi i liberalizimit të vizave. Unë shpreh bindjen time se brenda vitit të ardhshëm do të merret vendimi pozitiv për kapërcimin përfundimtarë të kësaj barriere.”

Për Ministrin e jashtëm Meta vendosja në një tjetër stad e marrëdhënieve diplomatike me fqinjët rajonal është një hap përpara.

Në këtë kontekst, duke folur për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë, Meta tha se ky bashkëpunim nuk duhet të shoqërohet nga mbarsja me një fryme ksenofobiste.

Ilir Meta: “Mjedisi i një frymë ksenofobie dhe ekstremizmi, pa asnjë lidhje, pa asnjë kuptim. Kur kjo është një marrëveshje mese normale, kur dihet sa e rëndësishme është që probleme të tilla që janë të pa zgjidhura të zgjidhen, kur dihet se Shqipëria nesër do filloj negociatat dhe për anëtarësimin në BE, krijohet një frymë e cila vërtetë nuk ka lidhje në fakt me politiken e jashtme të Shqipërisë.”

Në konferencën e organizuar në kuadër të prioriteteve dhe sfidave që dalin përpara diplomacisë shqiptare ish ambasadori jonë në OKB, Agim Nesho, theksoi rendësin e një lobingu mjaft pozitiv të Ministrisë së Jashtme.

Agim Nesho: “Kontributet e tij të mëdha dhe të pamohueshme në çështjen e Kosovës. Për zgjidhjen e problemit dhe arritjen e një konsensusi në marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni të frymës së bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit reciprok me Serbinë, si dhe për shtrirjen dhe plotësimin e marrëdhënieve me SHBA-n dhe me BE-n e bëjnë atë një udhëheqës serioz dhe diplomat të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Në këtë takim merrnin pjese edhe përfaqësues të trupit diplomatike të akredituar në Tiranë./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro