Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka rikonfirmuar bashkëpunimin paszgjedhor me Partinë Socialiste gjatë turit elektoral të zhvilluar në Cërrik, ku Meta prezantoi dhe kandidatët për deputet që do të garojnë me 28 qershor në qarkun e Elbasanit.

Gjatë takimit me banore të zonës, Meta u kërkoi atyre që të votbesojnë LSI-në, pasi sipas tij, LSI do të jetë forca që do të vendose qeverinë e ardhshme. Për kreun e LSI-së bashkimi i së majtës pas fitores në zgjedhje do të jetë koalicioni që do të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.

Ilir Meta: “Shqipëria është në krizë ekonomike dhe vetëm një njeri nuk e pranon dhe nuk e kupton dhe ky është Sali Berisha. Prandaj votat tuaja do të jenë për LSI-në dhe për Ilir Metën në mënyrë që ne ta nxjerrim Shqipërinë nga kriza, në mënyrë që ekonomia jonë të zhvillohet, në mënyrë që ekonomia e çdo familje të Cërrikut, të Belshit dhe të gjithë Shqipërisë të ecë përpara. Sepse ne nuk duam që në Cërrik dhe në Shqipëri të ketë edhe një familje të vetme që nuk përballon dot koston e jetesës, që nuk përballon dot minimumin jetik, që i dridhet dora për të blerë librat për fëmijët e saj, prandaj votoni LSI”.

Duke kërkuar votën e banoreve të Cërrikut Meta tha, se LSI është e vetmja forcë politike në vend që ka një program të qartë që garanton një punësim të qëndrueshëm dhe synon të nxjerrë vendin nga varfëria./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro