Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mori pjesë krah liderëve botërorë, në hapjen e Samitit mbi Ndryshimin e Klimës, që zhvillon punimet në SHBA. Seanca u përshëndet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. Një diskutim që vijoi më tej dhe në dreken zyrtare si dhe tryezën e rrumbullakët të Kryetarëve të Shteteve e Qeverive, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri i Shqipërisë Berisha.
Vizita zyrtare e kryeministrit në SHBA është shoqëruar dhe me takime të posaçme me liderë botërorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Takimet u përqendruan në angazhimin e qeverisë për reforma të gjithanshme.
Sali Berisha: “Unë u përshëndeta, bisedova dhe u takova me një pjesë të madhe të të pranishmëve, Presidentin e Republikës Kinës, Huchintau, Kryeministrin e Japonisë Hotajama, Kryeministrin e Australisë, Kryeministrin e Zelandës së Re, Presidentin e Austrisë, Presidentin e Finlandës. Shumë kryeministra dhe kryetar shtetesh të pranishme, i ftova të vijnë në Shqipëri, shpreha gatishmërinë time për të intensifikuar marrëdhëniet me ta. Mendoj se ishte një rast i cili u shfrytëzue gjerësisht për shkëmbim pikëpamjesh me burrat e shtetit që u ndodhën të pranishëm këtë mëngjes”.
Kryeministri Berisha ishte i ftuar dhe në punimet e Konferencës “Zhvillimi dhe Bashkëpunimi mes vendeve në luftën kundër varfërisë”, organizuar nga Millenium Challenge Corporation dhe Organizata “Interaction”. Kryeministri e fokusoi fjalimin e tij në rendësin e luftës ndaj korrupsionit dhe ndërmarrjes së reformave efikase në këtë drejtim. Berisha falënderoi posaçërisht qeverinë amerikane dhe korporatën e sfidave të mijëvjeçarit për ndihmën e ofruar Shqipërisë, para të cilat sikurse tha kryeministri u përdorën me eficencë të plotë.
Sali Berisha: “Këto para u përdorën në disa projekte të rëndësishme e të suksesshme, të cilat ndryshuan shumë vendin dhe luftuan burokracinë dhe si rrjedhojë korrupsionin, si Regjistrimi i Biznesit (ONE STOP SHOP), i cili ndihmoi shumë njerëzit e biznesit dhe komunitetin e biznesit në përgjithësi.“Nuk ka asnjë mënyrë më të mirë dhe eficente për të luftuar varfërinë dhe mizerjen, sesa lufta kundër korrupsionit, ndaj jam shumë i lumtur se kjo iniciativë e nisur nga Presidenti Bush u mbështet plotësisht edhe nga Presidenti Obama. Kjo në bindjen time është një nga ndihmesat më të mëdha që SHBA i ka dhënë vendeve të tyre mike si Shqipëria.
Millenium Challenge Corporation, është agjencisë e qeverisë amerikane, e cila ndihmon vendet në zhvillimin e tyre, për te garantuar një qeverisjeje me të mirë e te promovojnë rritjen ekonomike. Po kështu dhe “InterAction” një nga aleancat me të mëdha në SHBA, me plot 180 Organizata Joqeveritare anëtarë, fokusohet në çështje të luftës ndaj varfërisë./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi