Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me drejtues të kësaj force politike në Lezhë, ku ka analizuar rezultatin e zgjedhjeve të Qershorit 2009.

Në fjalën e tij, Meta është ndalur në strategjinë që LSI duhet të ndjekë në zgjedhjet vendore të 2011 për të arritur një rezultat pozitiv.

Ilir Meta: “Në zgjedhjet e ardhshme lokale që po afrojnë ne do arrijmë një rezultat shumë domethënës, i cili do t’i japë mundësi LSI-së që të luajë një rol edhe më të madh në zgjidhjen e problemeve që janë më pranë qytetarit dhe për të kombinuar angazhimin tonë në qeverisjen qendrore me një angazhim shuam më të madh dhe më prezent në qeverisjen vendore. Disa nga objektivat tona paraprake për zgjedhjet e ardhshme vendore të cilat tashmë po trokasin, kanë të bëjnë me të paktën fitoren e 100 komunave në të gjithë vendin dhe 20 kryetarëve të bashkive. Të tre kryetarëve të qarqeve dhe të paktën të 1500 këshilltarëve në të gjitha nivelet.”

Në zgjedhjet vendore të 2011, synimi i LSI është fitorja në 100 komuna, 20 bashki, 3 kryetarë qarku dhe të paktën 1500 këshilltarë në të gjitha njësitë vendore, që mbetet objektivi kryesor i forcës.

Në zgjedhjet e 28 Qershorit, LSI nuk arriti rezultat të kënaqshëm në qarkun e Lezhës. Duke marrë shkas nga ky fakt, Meta ka kërkuar drejtuesve lokalë më shumë kujdes./tvklan.al