Miratimi i shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, nga Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian hap një faze të re në marrëdhëniet mes bllokut dhe vendit tonë.

Kështu u shpreh për mediat zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, duke thënë se vendimi i kryediplomatëve evropiane është gjithashtu inkurajim konkret për reformat e ndërmarra nga qeveria.

 Ilir Meta: “Një ditë pas një vendimi shumë të rëndësishëm dhe do ta konsideroja si historik, të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian për t’i hapur rrugë aplikimit të Shqipërisë. Kjo shënon një fazë të re në rrugën e vendit tonë për tu anëtarësuar në BE dhe ashtu sikurse pritej, ky vendim është një inkurajim konkret për reformat e ndërmarra nga vendi ynë, për reformat dhe angazhimet e ndërmarra edhe nga qeveria jonë dhe pa asnjë diskutim që është dhe një moment kur bëhet një ftesë për gjithë përfshirjen e gjithë aktorëve në këtë proces që është i një rëndësie kombëtare ku parlamenti ka një rol shuam të rëndësishëm, ku opozita ka një rol të pazëvendësueshëm.”

Ndërsa theksoi rendësin e veçantë që do të ketë lufta me zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në përmbushjen e atyre që faktori ndërkombëtar i cilëson si reforma tepër të rëndësishme për integrimin e vendit, Meta i kërkoi opozitës që si aktore e rëndësishëm në këtë proces që të japë kontributin e saj përmes dialogut politik dhe jo bojkotit.

Ilir Meta: “Në një moment të tillë historik edhe opozita si qëllim kryesor të saj duhet të ketë kontributin për procesin e integrimit në Evropian. Është një proces i cili do të vazhdojë dhe që padyshim, i fton të gjithë të bëhen më të përgjegjshëm, më të arsyeshëm, të bëhet vërtet edhe  më evropian. Pasi thirrjeve tona dhe të qeverisë, por edhe të komunitetit ndërkombëtar  për dialog, për një dialog në institucione, për një dialog në parlament nuk mund t’i përgjigjen me thirrje për revansh, për dhunë apo me orë dhe minuta të numëruara për qeverinë dhe mazhorancën. Nuk është një kulturë demokratike.”

Për ministrin e Jashtëm pretendimet e opozitës për deformim të zgjedhjeve më 28 qershor morën dhe përgjigjen nga faktori ndërkombëtar pas publikimit të progres raportit.

Sipas zotit Meta çështja e zgjedhjeve është tashmë një kapitull i mbyllur, ndërsa deklaroi se qeveria mbetet e hapur për përmirësimin e mëtejshëm të standardeve në proceset elektorale./tvklan.al