Ilir Meta ka bërë publik në një konference për shtyp qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në lidhje me marrëveshjen qeverisëse me Partine Demokratike dhe afatin e fundit për nisjen e negociatave.

Ai sqaroi se nuk do të kushtëzojnë qeverinë me poste dhe emra ministrash, por do te ketë si qëllim dhe prioritet përfaqësimin e LSI-së dhe programin e integrimit. 

Ilir Meta: “Kur flas për qeverisje të qëndrueshme, kam parasysh një qeverisje dhe një koalicion që funksionon në radhë të parë në bazë të një programi të përbashkët politik dhe qeverisës, dhe së dyti kam parasysh që kjo mazhorancë do të konfirmohet shumë herë më e fuqishme sesa si rezultat i zgjedhjeve problematike të 28 qershorit në radhë të parë për shkak të kodit problematik dhe diskriminues që u ndërtua dhe u ideua për fat të keq nga kryetari në detyrë i PS-së dhe njëkohësisht që ky funksionim dhe ky afirmim i këtij koalicioni nuk do të jetë çudi që të ripërsëritet me shumë sukses edhe në vitin 2013. Ne jemi të hapur dhe nuk kushtëzojmë me emra ministrish apo institucionesh, kjo nuk është çështja jonë primare”.

Në këtë konference, i pyetur nga mediat, Meta ka komentuar dhe deklaratat e Edi Ramës, të bëra në fjalimin e mbajtur në kongresin e jashtëzakonshëm të Socialisteve.

Ilir Meta: “Fakti që zoti Rama ka shpall një LSI, nuk më çudit sepse ky mentalitet i tij bizantin është në themel të fatkeqësisë që ka kapluar që çon pastaj në ato shpërthime të cilat nuk mund të komentohen nga asnjë politikan përfshirë dhe mua, por për të cilat duhet të pyesi ndonjë psikiatër”.

Kreu i LSI-së foli gjithashtu edhe për qëndrimet e 5 anëtarëve të forcës politike që ai drejton, të rreshtuar kundër koalicionit më Partine Demokratike, dhe komentoi ftesën e drejtuar atyre nga Rama.

Ilir Meta: “Diversioni nuk është diçka e re në Shqipëri, në politikën shqiptare nuk jep efekt afatgjata, aq më tepër dhe diversantët. Politika bëhet hapur, bëhet në mënyrë transparente, bëhet në mënyrë të ndershme”./tvklan.al