Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Një investim prej 30 milion dollarësh do ta shndërrojë brenda viteve të ardhshme Gjirin e Lalzit, në një zonë turistike. Në një sipërfaqe pre 12 hektarësh, pritet të ngrihet kompleksi turistik Lura, në të cilin do të përfshihen hotele, qendra rekreative dhe restorante të një cilësie të lartë.

Në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve të këtij fshati turistik, mori pjesë edhe kryeministri Ilir Meta, i cili vendosi dhe tullën simbolike të inaugurimit të punimeve. Kryeministri Meta, duke marrë fjalën u shpreh:

Kryeministri Ilir Meta:- “Investimet në fushën e turizmit tashmë kanë filluar në mënyrë ligjore. Kanë filluar në një mënyrë tepër shpresëdhënëse, ndryshe nga shumë investime të bëra në mënyrë spontane, në mënyrë të paligjshme, duke dëmtuar ambientin dhe duke krijuar probleme serioze për mbijetesën e tyre në të ardhmen”.

Projekti i ndërtimit të fshatit turistik Lura është parashikuar që të ruaj gjelbërimin e zonës buzë detit Adriatik, në Gjirin e Lalzit, në rreth 65% të gjithë zonës në të cilën do të ndërtohet ky ambient. Punimet për ndërtimet e këtij fshati, janë parashikuar që të zgjasin 5 vjet./tvklan.al