Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat e përmbytura në Shkodër.

Sipas kreut të shtetit, situata në këtë qark po shkon drejt ekstremeve të paparashikuara.

Meta shton ndër të tjera se ka biseduar me kryebashkiaken Voltana Ademi dhe kjo e fundit e ka informuar për gjendjen në qark.

Reagimi i plotë  i Presidentit Ilir Meta:

Qeveria të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat e përmbytura në Shkodër!

Situata e përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve intensive dhe shkrirjes së dëborës në basenet e lumenjve Drin dhe Buna, po shkon drejt ekstremeve të paparashikuara. Liqeni i Shkodrës, që ka shkuar në kuota maksimale ka përmbytur tashmë lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, ku niveli i ujit raportohet të jetë 40-50 centimetra.

Në pak ditë, sipërfaqja e tokës nën ujë nga 1540 hektarë është rritur në rreth 4000 hektarë dhe sipas paralajmërimeve të sotme të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit  pritet zgjerim i zonave të përmbytura, veçanërisht në NënShkodër dhe afër Liqenit të Shkodrës. Alarmi i dhënë dhe situata në terren është shumë serioze dhe kërkon vëmendjen e veçantë të Qeverisë dhe pushtetit vendor, që pa vonesa të mëtejshme duhet të marrin të gjitha masat efektive për evakuimin e familjeve të rrezikuara nga uji, si dhe të bagëtive, që priten të izolohen.

Sot bisedova edhe me Kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, znj.Voltana Ademi, e cila më informoi në detaje për gjendjen e rënduar dhe shqetësimin e drejtë të saj për përkeqësimin e mundshëm të situatës, që kërkon një ndërhyrje të menjëhershme nga ana e autoriteteve shtetërore përgjegjëse. Duke i garantuar të gjithë mbështetjen institucionale, kërkova prej saj, që Bashkia e Shkodrës të jetë në lartësinë e përmbushjes me përgjegjshmëri të detyrave në këtë situatë tepër të rënduar dhe të ketë në fokus kryesor shëndetin dhe jetën e banorëve.

Duke vlerësuar me përgjegjësi maksimale gjendjen e raportuar i bëj thirrje Qeverisë të shpallë urgjentisht “Gjendjen e Fatkeqësisë  Natyrore” në zonat e përmbytura, me qëllim menaxhimin më të mirë të situatës operacionale, për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve në nevojë dhe për të patur prioritet absolut mbrojtjen e jetës së çdo qytetari dhe minimizimin e pasojave në pronat dhe pasuritë e tyre.

Përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të vlerësuar me shumë përgjegjësi paralajmërimet e IGJEUM dhe për të mos i lënë në mëshirë të fatit banorët e Shkodrës, të cilët meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe të kenë të gjithë vëmendjen dhe ndihmën e shtetit, veçanërisht në këtë periudhë tepër të vështirë, të rënduar edhe për shkak të pandemisë COVID-19./tvklan.al