Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka përshëndetur raportin final të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet. Një raport që sikundër tha Meta mbyll kapitullin e zgjedhjeve problematike në Shqipëri.  Kryetari i LSI-së i mëshoi po aq asaj pjese të raportit ku jepen rekomandime konkrete për klasën politike. Si forcë e dytë qeverisëse LSI angazhohet për plotësimin e tyre me seriozitet.

Ilir Meta: “Raporti i OSBE/ODIHR-it mbyll kapitullin e zgjedhjeve problematike në Shqipëri dhe me këtë rast unë do të përshëndesja të gjithë organizatat që bashkërenduan për monitorimin e këtyre zgjedhjeve dhe në mënyrë të veçantë kryesuesen e këtij misioni ambasadoren Glover dhe jam i bindur se të gjithë këta vërejtjet dhe rekomandimet do të përbëjnë edhe bazën e reformës së ardhshme elektorale në vend. Por konkluzioni që këto zgjedhje ishin një progres i prekshëm është edhe thelbi i këtij raporti”.  

Kryetari i LSI-së tha se PS është po aq bashkëpërgjegjëse për të gjitha mangësitë që evidenton raporti. Këtu Meta ju referua reformës zgjedhore dhe peshës kryesore që mori selia roze në këtë proces. Të gjitha këto kryetari i LSI i dha si arsye për të treguar se me publikimin e raportit  përmbyset dhe çdo pretendim i PS-së për bojkot të kuvendit.

Ilir Meta: “Si asnjëherë tjetër më parë gjatë këtyre dy dekadave edhe kodi zgjedhor edhe reforma elektorale ju lanë në dorë kryetarit të partisë më të madhe në opozitë, pra praktikisht ju lanë zotit Rama dhe për të gjitha ato mangësira apo vërejtje që vihen re edhe në raportin e publikuar duhet të kemi parasysh që në rastin më të mirë për vetë PS-n ajo është po aq bashkëpërgjegjëse sa edhe PD. Kshuqë nuk ka asnjë arsye serioze për të justifikuar bojkotin përveç problemeve dmth të brendshme. Ashtu sikurse unë dua të përshëndes deklarimin e kryeministrit Berisha që përsëri reformën e ardhshme elektorale, pra për të përmirësuar gjithçka që nuk shkojë mirë në këto zgjedhje t’i lihet në dorë PS-së”.

Ndryshimi i kodit zgjedhor ishte një çështje e cilat ngrihej si proces i nevojshëm dhe në raportin e OSBE/ODHIR. Nën këtë fokus LSI nuk përjashton dhe variantin për komisione të depolitizuara të administrimit të zgjedhjeve si një masë që redukton presionin politik në proces.

Arjan Madhi: “PR e vlerëson këtë raport si një përmbledhje konstatimesh, vlerësimesh e rekomandimesh objektive. Është e pa falshme që opozita në emër të interesit për pushtetin e saj politik t’i drejtohet opinionit në mënyrë spekulative duke deformuar konkluzionin final të raportit, duke e cilësuar këtë si shprehje e vlerësimit negativ për zgjedhjet në Shqipëri. Në këtë raport evidentohet qartazi se nuk ka prova për manipulim të këtyre zgjedhjeve dhe se ndërkohë ende deri më sot askush nga opozita nuk ka paraqitur prova për të argumentuar pretendimin e saj”./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi