“Koronavirusi do frenojë ekonominë“
Parashikimi i bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për ngadalësim të rritjes ekonomike si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, për Presidentin Ilir Meta dikton marrjen e masave të menjëhershme nga ana e qeverisë për përballimin e pasojave serioze që kanosin vendin, duke afektuar sektorët kyç të ekonomisë.
“Vendi sot po përballet me një ngadalësim kritik të aktivitetit ekonomik, si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale të koronavirusit. Kjo do të shkaktojë një frenim të rritjes ekonomike dhe humbje serioze në mënyrë të veçantë në sektorin e fasonëve, turizmit, shërbimeve dhe biznesit të vogël. Është jetike të punohet çdo ditë edhe për përballimin e skenarëve të ndryshëm të pasojave serioze në ekonominë kombëtare dhe jetën e çdo familjeje shqiptare, në veçanti të atyre më në nevojë.”
Presidenti këshillon qeverinë që të marrë në konsideratë edhe një tjetër rekomandim të bërë nga FMN për të orientuar politikat në sektorin shëndetësor dhe të krijohen burime për të mbështetur shtresat më të prekuara nga efektet e koronavirusit.
“Duhet të bëhet gjithçka për të përballuar skenarët e ndryshëm të ecurisë së kësaj pandemie nga ana mjekësore.”
Mesazhi i kreut të shtetit vjen pak ditë pasi fondi u shpreh i gatshëm të vijojë dialogun me qeverinë shqiptare për të ndihmuar reduktimin e impaktit të virusit në ekonomi.
Tv Klan