Zv/Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Meta, ka zgjedhur Malin e Zi për të nisur një tur vizitash në vendet e rajonit.

Gjatë qëndrimit dy ditor ministri Meta ka zhvilluar takime me figurat më të larta të shtetit malazez si presidentin Filip Vujanovic dhe kryeministrin Milo Gjukanovic, por edhe me përfaqësues të partive shqiptare. Integrimi i të dy vendeve në Bashkimin Evropian ka qenë tema kryesore e bisedimeve.

Ilir Meta: “Ku objektivi kryesor mbetet anëtarësimi i vendeve tona në BE. Ashtu sikurse dhe zgjerimi i NATO-s në rajonin tonë dhe anëtarësimi i Malit të zi në NATO, besoj që do të kontribuojë jo vetëm që i gjithë bregdeti i Adriatikut të jetë përfundimisht i integruar në NATO dhe më i sigurt. Por edhe që kjo siguri në rajonin tonë ti kontribuojë një zhvillimi ekonomik, jemi në një epokë të re ku kontribuojnë rajonet”.

Në konferencën për shtyp që të dy diplomatët dhanë përpara mediave ka vlerësuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe ka garantuar se regjimi i vizave me Shqipërinë nuk do të ndryshoje edhe pas liberalizmit që Mali i Zi do të përfitojë më në 1 janar.

Milan Rocen: “Pasi Mali i Zi të përfitojë liberalizimin e vizave me BE-në, regjimi i vizave nuk do të ndryshojë me Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë dhe ata malazezë do të vazhdojnë të udhëtojnë pa viza drejt vendeve respektive”.

Ministri i jashtëm Ilir Meta, është pritur edhe në një takim dhe nga kryetari i komunës se Ulqinit Gëzim Hajdinaga, ku lëvizja e lirë e qytetareve nga të dy anët si dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore që lidh të dyja vendet kanë qenë temat kryesore e bisedimeve.

Gëzim Hajdinaga: “Së shpejti ndoshta me inicimet dhe dëshirën që kanë dy qeveritë. Kalimi i pikës kufitare Sukobin që tashmë është shembull i një godine të përbashkët, të kalojnë në statusin e kalimit ndërkufitar ku do të kalohet pra me letërnjoftim pa procedura pasaporte”.

Ilir Meta: “Kërkojmë të njëjtin ritëm dhe angazhim në përmirësimin e infrastrukturës midis 2 vendeve dhe në mënyrë të veçantë e kemi kërkuar edhe dje që të ketë një impenjim më të madh dhe më të shpejt për të përmirësuar rrugën nga Muriqani për në Ulqin dhe njëkohësisht dhe nga Hani Hotit për në Podgoricë për të parë mundësinë dhe për të hapur pika të reja të kalimit kufitar midis dy vendeve”.

Në takimet në Malin e Zi, zëvendës kryeministri dhe ministri i jashtëm, Meta ka nënshkruar edhe tre marrëveshje bashkëpunimi për lëvizjen e ndërsjellët të qytetarëve, atë të ripranimit dhe marrëveshjen për rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e piramidave përgjatë kufirit shqiptaro-malazez./tvklan.al

Gazetari: Eno Luarasi