Milani prezantoi trajnerin e ri, Paulo Fonseca. Marrëveshja me teknikun portugez, ishte zyrtarizuar prej kohësh, por prezantimi ka ardhur vetëm këtë të hënë, pas nisjes së stërvitjes.

Në fjalët e tij të para, 51-vjeçari u shfaq shumë i lumtur, ndërsa deklaroi se qëllimi i tij është që të shkruajë emrin në historinë e klubit.

“Dua të falënderoj klubin për besimin që pati tek unë dhe te puna ime. Jam shumë i motivuar, i emocionuar dhe besimplotë se mund të bëj një punë të mirë. E di që vij në një klub që do të fitojë.

Isha në muze, pashë historinë e Milanit dhe me duhet të them që kam shumë ambicie për t’u bërë pjesë e kësaj historie. Zlatan Ibrahimovic më tregoi dhe hapësirën për trofetë e rinj.

Jam gati për të filluar këtë aventurë, mezi po pres. Jam i vetëdijshëm se është një përgjegjësi e madhe, por edhe një nder i madh. Milani është një klub universal. Kam shumë besim se do ta bëj të fitojë.”

Fonseca foli edhe për merkaton, duke thënë se duhet një sulmues dhe theksoi se pret ta ketë shpejt nën urdhrat e tij.

“E dimë që na duhet një sulmues. Po kërkojmë atë me karakteristikat e duhura. Sulmuesi ynë i ri duhet të jetë i fortë në 30 metrat e fundit. I kemi idetë e qarta, e dimë se çfarë lojtari duam dhe presim ta kemi këtu së shpejti.

Jam këtu edhe sepse besoj shumë te lojtarët që kemi. Besoj shumë te kjo organikë. Sigurisht që kemi nevojë për ndonjë lojtar, pasi ka disa pozicione ku mund të përmirësohemi”, deklaroi Fonseca.

Në stolin e Milanit, portugezi do të pasojë të larguarin Stefano Pioli, që mbylli aventurën 5-vjeçare me kuqezinjtë. Fonseca ka firmosur kontratë 3-vjeçare me klubin italian. /tvklan.al