Pas aprovimit nga ambasadorët e përhershëm të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, pritet që ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian të formalizojnë vendimin gjatë takimit të tyre që mbahet ditën e martë në Bruksel.
Ambasadorja e misionit të Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, Mimoza Halimi, shpjegon për Tv Klan procedurën që vijon pas këtij vendimi.
Mimoza Halimi: “Pas aprovimit të kërkesës sonë nga Këshilli i Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian fillon punën për përgatitjen e opinionit të tij mbi gatishmërinë e Shqipërisë për të hyrë në fazën e negociatave. Kjo presupozon një punë të përbashkët të qeverisë shqiptare me Komisionin Evropian për këtë qëllim. KE në vijim i dërgon qeverisë shqiptare një pyetësor, përgjigjet e të cilit do të përbëjnë kontributin kryesor mbi bazën e të cilit do të përgatitet opinion i KE-së. Padyshim që përgatitjet për këtë proces kanë filluar kohë më parë, që në momentin që kryeministri i republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, i dorëzoi homologut të tij çek në muajin Prill, i cili mbante presidencën e radhës së Bashkimit Evropian në atë kohë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Duke iu referuar Ministres së Integrimit, zonjës Majlinda Bregu, përgatitjet për këtë proces janë shumë konkrete. Institucioni që ajo drejton ka përgatitur një plan konkret veprimi, me afate kohore, me detyrimet, përgjegjësitë që ka çdo institucion i përfshirë në procesin e dhënies së përgjigje të pyetësorit. Shpreh bindjen se administrata shqiptare ka të gjitha kapacitetet, dedikimin, angazhimin për ta përmbyllur procesin e përgjigjeve të pyetësorit në kohën e duhur, dhe me cilësi.”
Dhënia e opinionit nga ana e Komisionit Evropian lidhur me aplikimin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat pritet të zgjasë një vit./tvklan.al