Ndihmës Sekretarja Amerikane e Mbrojtjes Celeste Wallander ka zhvilluar sot një takim me Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu. Në përfundim të Ministerialit SHBA-Karta e Adriatikut, ata dhanë një deklaratë të përbashkët për mediat. Wallander u shpreh falenderuese për punën e bërë në këtë fushë vitet e fundit, duke shtuar se të qenurit anëtare e NATO-s është një nga principet e mëdha të Kartës së Adriatikut.
“Dua të shpreh falenderimin e thellë për punën e bërë vitet e fundit ku ka pasur rezultate të ndjeshme në sfidat tona të mëdha.”
“Ne nuk jemi thjesht partnerë të ngushtë, por edhe miq. Vizioni i SHBA-së është sigurisht për paqe dhe stabilitet. Diskutimi i sotëm shkoi në zemër të këtyre ideve dhe tek ndërhyrja e ashpër e Rusisë në Ukrainë. Kemi hedhur baza të mira për atë që do të bëjmë në vitin 2025. Gjithçka vlen nga veprimet, jo nga fjalët që ne themi“, deklaroi ajo.
Wallander vuri theksin te bashkëpunimi mes shteteve që janë pjesë e Kartës së Adriatikut.
Ndërsa ministri Vengu tha se “anëtarësimi i Kosovës mbetet prioritet”, e po ashtu misionet për trajnim e asistencë për forcat ukrainase.
“Misioni i NATO-s në Irak, por dhe si kontribues në misione të BE-së, si në Bosnjë-Hercegovinë. Mbrojtja kolektive në zonën euroatlantike është një nga qëllimet për prosperitet dhe paqe në rajon”, u shpreh Vengu.
/tvklan.al