Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ka deklaruar mbrëmë në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu se është i gatshëm të kandidojë për kryetar të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.
I pyetur nga gazetarët i pranishëm në studion e Opinion, Basha tha se ai nuk i trembet asnjë sfide dhe shtoi se në përballje të tilla ai del fitimtar, por sqaroi se ky është një vendim që i takon PD-s dhe koalicionit të përbashkët me LSI-në.
Blendi Fevziu: “A mund të jeni ju një kandidat dhe thënë i përzgjedhur nga mazhoranca për të konkurruar për Bashkinë e Tiranës?”
Lulzim Basha: “Fushata elektorale parlamentare përfundoi në qershor, fushata tjetër sipas gjasave vjen vitin tjetër. Këto janë çështje të cilat i përkasin për nga vendimmarrja një vendimmarrje në radhë të parë PD-së dhe në radhë të dytë koalicionit PD-LSI.”
Blendi Fevizu: “Ju do ishit i gatshëm të konkurronit në Bashkinë e Tiranës përballë Edi Ramës që i ka mundur 3 herë rresht kandidatët tuaj zoti Basha?”
Lulzim Basha: “Nuk më impresionon fare kjo e fundit që the. Nuk i trembem absolutisht asnjë sfide e cila do të kontribuonte në arritjen e objektivave dhe shërbimin ndaj qytetarëve të këtij vendi dhe absolutisht as sfidës që ju përmendët dhe natyrisht nuk mund të paragjykoj procesin sepse procesi është një vendimmarrje e partisë time, PD-së dhe e partnerit në koalicion, por absolutisht kam gjithë angazhimin dhe energjinë të përballem me çdo sfidë dhe të dal fitimtar.”
Ministri Basha ishte i ftuar në Opinion për të folur për procesin e liberalizimit të vizave për të cilat ai tha se 7 dhe 8 Tetori do të jenë datat vendimtare që do të shënojnë marrjen e një vendimi për Shqipërinë.
Duke cilësuar si një proces pa kthim zoti Basha dha garanci të plotë se qeveria shqiptare është në pritje të një përgjigje pozitive brenda datës 2 Qershor lidhur me propozimin paraprak të Komisionit Evropian, që ka të bëjë me përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro