Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, është takuar në Paris me homologun francez Bernard Kushner. Dy ministrat biseduan mbi reformat e nevojshme në drejtim të integrimit europian të Shqipërisë, situatën në Ballkan dhe veçanërisht zhvillimet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Me rëndësi u konsideruan masat që duhen ndërmarrë për vënien në zbatim të udhërrëfyesit të Komisionit Europian në kuadër të dialogut të hapur për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.

Kushner garantoje ministrin Basha për mbështetje të fuqishme të Francës në procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Takimi i ministrit Basha me homologun Kushner u zhvillua në kuadër të samitit të Parisit për Mesdheun. Për Bashën ky forum ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë jo vetëm nga pikëpamja politike por edhe nga pikëpamja ekonomike.

Lulzim Basha: “Ngjarja e sotme shënon një leverdi të dyfishtë për Shqipërinë. Leverdinë e drejtpërdrejtë në pjesëmarrje, në projektet që kapin një vlerë për afro 6 miliard eurosh në zhvillimin e turizmit, në zhvillimin e transporti detarë, në zhvillimin e lidhjeve në veçanti sa i përket energjisë dhe së dyti në pjesëmarrje me të drejta të plota në një forum ku merr pjesë e gjithë BE-ja, pjesa kryesore e vendeve të Mesdheut”./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi