Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Fushata e urbanizimit, që ka ndërmarrë qeveria, nuk mund të jetë pre e fushatave elektorale dhe karrierës së kujtdo. Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizmit Ben Blushi është shprehur kështu në takimin me prefektët e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Vlorës, dhe Lezhës.

Ministri ka shprehur shqetësimin e tij, rreth procesit të legalizimeve, rreth ndërtimeve pa leje. Mbi këtë proces që sapo ka nisur janë vërejtur abuzime. Ai ka rekomanduar ngritjen e komisioneve ad-hoc, të posaçme për verifikimin e vendimeve të marra, nga KRT e rretheve përkatëse, pasi prefektët janë të vetmit struktura sipas tij, pranë qeverisë, që mund të filtrojnë ligjshmërinë e dhënies së lejeve të ndërtimit, përpara se ato të vijnë në KRRTRSH.

Komisionet e posaçme sipas Blushit, pas inventarizimit dhënies së lejeve dhe shesheve të ndërtimit, do të jenë një strukturë profesionale, që do të sinjalizojë nga prefekti deri në qeveri, për nisjen e ndërtimeve pa leje dhe marrjen e masave, me efekt të menjëhershëm. Ndërsa për legalizimin e ndërtimeve pa leje, ai u shpreh se duhet të paraprihen nga regjistrimi i familjeve të shpërngulura në zyrat e gjendjes civile të vendbanimit të ri./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti