Ministri i ri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, takimin e parë në këtë funksion e ka kryer me përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Hapja e bursës së Tiranës dhe kthimi i Albinvestit si një sportel me një ndalesë për investitorët e huaj janë disa nga drejtimet ku do fokusohet kjo ministri, bëri me dije ministri Prifti.
Dritan Prifti: “Krijimin brenda dy viteve të para të mandatit të bursës së Tiranës, s’ka ekzistuar asnjëherë bursë në Shqipëri, u mirëprit nga përfaqësuesit e dhomës amerikane të tregtisë, qe kjo ide. Gjithashtu e informova që dhe agjencia Albinvest, që deri sot ka qenë një agjenci për promovimin dhe për nxitjen e investimeve të huaja. Brenda dy vjetëve të para do të kthehet në një agjenci me një sportel, pra në one stop shop për të gjithë investitorët e huaj.”
Marrëdhëniet me biznesin do të bëhen më të ngushta ka deklaruar ministri, teksa i garantoi ata për mbështetje të vazhdueshme.
Dritan Prifti: “Nëse do të ketë një kërkesë për takim brenda 24 orëve ministri i ekonomisë do ta takojë, pra do ti ofrojë takim biznesit. Ky lloj dialogu me këtë lloj shpejtësie dhe me këtë lloj mirëkuptimi, unë premtoj që do të jetë i vazhdueshëm për të 4 vitet e kësaj qeverisje.”
Drejtuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë falënderuan ministrin për iniciativat që po ndërmerr për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit në vend./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguri