Të gjitha bizneset, prej muajit shkurt do të jenë të detyruara të raportojnë vetëm në mënyrë elektronike online përballe Drejtorisë së Tatim-Taksave. Deklarata vjen nga kreu i këtij institucioni Artur Papajani, sipas të cilit në këtë mënyrë do të reduktohen kostot administrative të biznesit si dhe do të luftohet korrupsioni.
Artur Papajani: “Ne pothuajse jemi gati me sistemin tonë, testimi i emrit, nga muaji shkurt të bëjmë të detyrueshme deklarimin elektronik. Përfundimisht gjithçka do të bëhet nga zyra juaj, nga një monitor që keni në zyrë, gjithçka do bëhet aty. Nisma filloi që më parë, filloi me shkarkimin e deklaratave online, më falni nga sistemi jonë”.
Sipas Papajanit deri tani 30% e deklarimeve nga biznesi janë kryer online. Kryetatimori bëri me dijë se hapi tjetër do të jetë pagesa elektronike e biznesit dhe për këtë po negociohet më bankat në vend. Deklaratat erdhën gjatë një takimi më temë “Sistemi fiskal” në prani të Anëtarëve të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Këta të fundit ngritën çështje që lidhen kryesisht me rimbursimin e TVSH-së dhe zbatimin e ligjeve fiskale. Një tjetër shqetësim ishte ai për ligjin e përgjimeve telefonike, kur dyshohet për korrupsion nga ana e punonjësve të administratës tatimore.
Genc Boga: “Ka pasur dhe një iniciativë tjetër që ishte e lidhur me përgjimin e individëve biznesmenë. Mund të na jepni ndonjë update?
Artur Papajani: “Absolutisht nuk do të ketë përgjim për biznesin, për këtë ju garantoj, absolutisht fare. Ne thash kemi krijuar një funksion të ri, atë të investigimit të brendshëm, që s’ka qenë më parë dhe ky funksion i ri do të ketë atributin e hetimit, të gjurmimit të njerëzve tanë, të administratës tonë, ku ne kemi raste të komunikimit, sinjalizimit, që ato hyjnë në aferat korruptive./tvklan.al