Projekti i ndërtimit të  kaskadës së Devollit, kap vlerën e 1 miliard euro, duke u bërë kështu projekti më i madh në hidrocentrale në formë koncesioni sot në Europë. Kështu deklaroi në një konferencë shtypi ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli. Sipas Rulit, në fillim të vitit 2009, ndërtimi i kaskadës parashikon ndërhyrje emergjente në Banjë.

Genc Ruli: “Do thoja që projekti do cilësohej si një projekt kompleks i teknologjisë së lartë dhe i cili sikundër janë edhe kushtet e kontratës do të zbatohet në përputhje me standardet më të mira që janë arritur në Europë sot. Është padyshim projekti më i madh investues në hidrocentrale në formë koncesioni sot në Europë.”

Gjatë konferencës për shtyp Ministri Ruli theksoi se modeli i zgjedhur nga qeveria shqiptare për koncesionet ka qenë i suksesshëm dhe ka dhënë frutet e veta.

Genc Ruli: “Dua të përmend që ku model i ka dhënë provat e para, faktikisht me 50 kontrata tashmë të firmosura koncensionare në kategorinë e hidrocentraleve të vegjël. Por që të gjitha së bashku këto kontrata përbëjnë një kapacitet të instaluar prej 200 megavat.”

Në fund, ministri Ruli foli edhe për situata energjetike në vend, duke e cilësuar atë optimale, jo vetëm si pasojë e reshjeve ditëve të fundit, por edhe falë menaxhimit të mirë të këtyre burimeve./tvklan.al